Një turiste e huaj, pasi ka përfunduar udhëtimin e saj në veri të Shqipërisë dhe është kthyer në vendin e origjinës, ka publikuar në rrjetet sociale një pretendim të rëndë. Ajo deklaron se gjatë qëndrimit në Shqipëri është droguar dhe abuzuar seksualisht nga një udhërrëfyes turistik, i njohur për promovimin e turizmit dhe zonave natyrore të veriut.
Denoncimi është shpërndarë me shpejtësi në rrjet, duke u publikuar edhe nga faqe të tjera me numër të madh ndjekësish.
Në reagimin e tij publik, përfaqësuesi ligjor i personit të akuzuar mohon se ndaj klientit të tij ka një kallëzim zyrtar. Sipas avokatit, nuk është depozituar denoncim në Policinë e Shtetit, në ambasadën përkatëse në Tiranë apo në institucionet e vendit ku turistja është rikthyer.
Avokati pretendon gjithashtu se nuk ka analiza laboratorike apo ekzaminime mjekoligjore që të mbështesin akuzat për drogim dhe abuzim seksual. Ai e ka cilësuar situatën si një akuzë të pabazuar dhe ka ngritur pretendime të tjera lidhur me rastin.
Ngjarja rikthen në vëmendje një tjetër episod të raportuar rreth dy muaj më parë në lumin e Shalës. Në atë rast, një turiste britanike akuzoi një drejtues varke për abuzim seksual. Autoritetet nisën procedurat hetimore, u vu në dijeni ambasada dhe u kryen edhe ekzaminimet mjekoligjore.
Sipas të dhënave të mësuara hetimi nuk konfirmoi akuzat e ngritura dhe i riu u lirua, pasi rezultoi se ishte ndaluar pa prova që të mbështesnin pretendimin. Rasti, sipas burimeve, i ka shkaktuar atij pasoja të konsiderueshme në planin personal dhe familjar.
Raste të tilla ngrenë një debat të rëndësishëm mbi mënyrën se si trajtohen denoncimet për dhunë seksuale, veçanërisht kur ato bëhen fillimisht përmes rrjeteve sociale dhe jo përmes institucioneve përgjegjëse.
Çdo denoncim për dhunë seksuale duhet marrë seriozisht dhe të hetohet me përparësi, duke mbrojtur viktimat reale dhe duke garantuar njëkohësisht të drejtën për proces të rregullt të personave të akuzuar. Në këtë kuadër, verifikimi përmes provave, ekspertizave dhe procedurave zyrtare mbetet thelbësor për të përcaktuar të vërtetën.
Ndërsa rastet e dhunës seksuale kërkojnë reagim të fortë institucional dhe ndëshkim sipas ligjit kur akuzat provohen, edhe akuzat e pabazuara mund të shkaktojnë pasoja të rënda për personat që bëhen objekt i tyre. Për këtë arsye, çdo rast duhet të trajtohet me seriozitet, pa paragjykim dhe mbi bazën e provave.

