Shqipëria po zhvillon këtë të shtunë ndeshjen e dytë miqësore nën drejtimin e teknikut të ri, Rolando Maran, vetëm pak ditë pas humbjes 0-1 me Izraelin.
Pjesa e parë është mbyllur me avantazhin 1-0 të Luksemburgut, falë golit të realizuar nga Danel Sinani në minutën e 8-të.
Shqipëria reagoi pas golit të pësuar dhe mori kontrollin e lojës për disa minuta, por pa arritur të krijojë raste të pastra shënimi. Rasti më i mirë erdhi në minutën e 19-të, kur Kristjan Asllani provoi nga distanca, por portieri Tiago Pereira kontrolloi pa vështirësi.
Në minutën e 32-të, Asllani u ndëshkua me karton të verdhë për një ndërhyrje në mesfushë. Pak minuta më vonë, një episod tensioni në zonë pas një kontakti mes Kristjan Asllanit dhe Enes Korac solli ndërhyrjen e gjyqtarit, i cili ndëshkoi me karton të verdhë Qazim Laçin dhe futbollistin e Luksemburgut.
Pas 45 minutave të para, Luksemburgu kryeson 1-0 në “Air Albania”, ndërsa kuqezinjtë do të kërkojnë përmbysjen në pjesën e dytë.
Tekniku italian ka bërë tre ndryshime në formacion krahasuar me ndeshjen e kaluar. Arlind Ajeti, Ernest Muçi, Mehmeti dhe Armando Broja nuk ishin në formacionin titullar, ndërsa vendin e tyre e zunë Ilir Pllana, Nedim Bajrami dhe Myrto Uzuni. Mehmeti mungoi për shkak të një viroze, ndërsa Uzuni u rikuperua në kohë për të qenë i gatshëm për këtë përballje.
Formacionet zyrtare
Shqipëria: Alen Sherri, Elseid Hysaj, Ilir Pllana, Berat Gjimshiti, Mario Mitaj, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Myrto Uzuni.
Trajner: Rolando Maran.
Luksemburgu: Tiago Pereira, Dirk Carlson, Enes Korac, Laurent Jans, Mica Pinto, Leandro Barreiro Martins, Moreira, Alessio Curci Dardari, Vincent Thill, Duarte, Danel Sinani.
Trajner: Luc Holtz.

