Partia Socialiste ka bërë publik propozimin e saj për reformën e re administrativo-territoriale në qarkun e Shkodrës, ku parashikohet reduktimi i numrit të bashkive nga pesë në katër.
Sipas bashkëkryetarit të Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, Vau i Dejës do të vijojë të funksionojë si bashki më vete. Ai u shpreh se vendimi është bazuar në kriteret e përcaktuara për hartimin e reformës, të cilat, sipas tij, justifikojnë ruajtjen e kësaj njësie vendore.
Ndryshimi i vetëm i parashikuar në qark është bashkimi i Bashkisë Fushë-Arrëz me Bashkinë Pukë. Nëse propozimi miratohet, Fushë-Arrëzi nuk do të ekzistojë më si bashki e veçantë, ndërsa Puka do të zgjerojë territorin e saj administrativ.
Në këtë mënyrë, qarku i Shkodrës do të përbëhet nga katër bashki: Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Pukë.
Reforma ka sjellë debate mes forcave politike. Ndërsa Partia Socialiste mbështet këtë konfigurim të ri, Partia Demokratike është shprehur kundër, duke propozuar shtimin e numrit të bashkive në vend të reduktimit të tyre.

