Mungesa e ujit të pijshëm po kthehet në një problem serioz për banorët e disa zonave të Malësisë së Madhe. Familjet raportojnë se prej ditësh nuk kanë furnizim me ujë, ndërsa shqetësimi është bërë pjesë edhe e diskutimeve në Këshillin Bashkiak.
Për situatën ka reaguar këshilltari i PSD-së dhe nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Mark Luli Gjelaj, i cili ka ngritur akuza të forta për mungesën e furnizimit.
Sipas Gjelajt, në disa zona uji mungon prej më shumë se dy javësh, duke sjellë vështirësi të mëdha për banorët.
“Pleqtë kanë mbi dy javë pa u larë. Mos paguani asnjë faturë. Nuk ka asnjë pikë ujë në këto zona”, deklaroi ai.
Situata bëhet edhe më problematike për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin. Mungesa e ujit prek jo vetëm nevojat e përditshme të familjeve, por edhe higjienën dhe kushtet bazë të jetesës.
Banorët presin ndërhyrje për rikthimin e furnizimit me ujë, ndërsa mbetet për t’u parë se çfarë masash do të ndërmarrë Bashkia Malësi e Madhe për zgjidhjen e problemit.

