Një operacion i Policisë së Shtetit në Sarandë ka çuar në arrestimin e 8 personave dhe ndalimin e 4 punonjësve të policisë, pas zbulimit të një ndërtimi pa leje në një hapësirë plazhi, që dyshohet se është bërë shkak për ngjarje kriminale të ndodhura më herët në qytet.
Në kuadër të këtij operacioni ka rënë në pranga shefi i komisariatit të Sarandës Gëzim Bashllari, nën dyshimet për ryshfet, si dhe 7 persona të tjerë.
Sipas informacioneve në media, Bashllari në dëshminë e tij paraprake përpara hetuesve ka deklaruar se gjatë ditëve të fundit ka qenë i angazhuar intensivisht me hetimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale në Sarandë, dhe se kjo situatë i ka kufizuar mundësinë për t’u marrë me problematikat e ndërtimeve të paligjshme.
Sipas informacioneve prona ku po kryheshin punimet ka qenë në emër të Isuf Jaçaj, i cili u vra me shpërthim tritoli në automjetin e tij në tetor të vitit 2025.
Ndërkohë, në këtë pronë, e cila dyshohet se është marrë me dhunë nga ky grup, po ndërtohej një “beach bar”, i cili synohej të vihej në funksion për sezonin veror.
Mësohet se për lejimin e kësaj prone dyshohet se është marrë ryshfet nga shefi i komisariatit të policisë Sarandë, Gëzim Bashllari dhe tre vartësit e tij, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj, të cilët u ndaluan nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Po kush është Gëzim Bashllari?
Gezim Bashllari ishte në krye të komisariatit të Policisë së Sarandës prej dhjetorit të vitit 2024, i cili gjatë viteve të fundit ka dështuar në mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë. Fokusi i tij ka qenë vetëm tek vendosja e gjobave ndaj bizneseve pa lidhje me autoritetet, ndërkohë që dhuna dhe ngjarjet kriminale përsëriteshin në Sarandë.
Vetëm vitin e kaluar Saranda u kthye në skenë “kërcitje armësh”, shpërthime tritolësh, përplasjesh, grushtesh, gjakosjesh dhe arrestimesh, ku “të fortët” qarkullonin me armë, bënin ligjin ndërkohë që nuk ka pasur asnjë masë të marrë nga kreu i komisariatit, Bashllari.
Tritoli në mes të sezonit turistik dhe saga e dështimit të Policisë
Saranda u trondit mëngjesin e 21 korrikut 2025, ku një shpërthim me tritol zgjoi të alarmuar banorët dhe turistët. Nuk bëhej fjalë për një ngjarje kriminale të veçuar, por për krime që pasojnë njëra-tjetrën gjatë këtij muaji korrik, në mes të sezonit turistik në qytetin bregdetar.
Shënjestër e sulmit ishte automjetit në pronësi të shtetasit Klaus Jaçaj 31 vjeç, të cilin e “hodhën në erë” me eksploziv. Jaçaj ishte shpallur në kërkim nga Policia vetëm 4 ditë më parë, pasi dyshohet si i përfshirë në përplasjen mes dy grupeve më 17 Korrik në lagjen numër 4 të Sarandës, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy të rinjtë nga Kamza, Gëzim Hajdaraj 33 vjeç dhe Ernest Lama 24 vjeç.
Klaus Jaçaj akuzohet për përkrahje të autorëve të krimit, pasi dyshohet se ka ndihmuar dy vëllezërit Ramadan Zoto, i njohur edhe si Ramadan Canaj, 43 vjeç, si edhe Erjon Canaj, 36 vjeç, të cilët qëlluan 2 të rinjtë pas sherrit për pronën në bregdet.
Ngjarja ndodhi në mes të ditës dhe në sy të qindra pushuesve, teksa dy të rinjtë u dërguan me urgjencë në spitalin e Traumës. Në vendin e ngjarjes u gjet edhe një çantë, brenda së cilës kishte edhe një armë, e cila dyshohet se i përkiste njërit prej të plagosurve.
Ndërkohë, shpërthimi me tritol ka ndodhur në lagjen numër 3 të Sarandës, rreth orës 23:50 dhe nisur nga ngjarja e mësipërme, dyshohet për motive hakmarrje. Automjeti është përfshirë totalisht nga flakët dhe është shkrumbuar i gjithi. Po ashtu, dëmtime ka pësuar edhe banesa e Klaus Jaçajt.
Raste të tjera, ku të “fortët bënin ligjin
Më 8 Korrik 2025, në kuadër të operacionit “Impact” u arrestua në Ksamil shtetasi kosovar Sh. M., 31 vjeç, banues në Gjilan. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Range Rover” që drejtonte ky shtetas, uniformat blu gjetën të fshehur në çantën e tij të dorës, 1 armë zjarri pistoletë tip “Beretta”, me një krehër me fishekë.
Më 11 Korrik, Policia ndaloi rastësisht në rrugën “Butrinti” një automjet luksoz tip “Porsche Panamera”, brenda të cilit ndodheshin tre të rinj nga Kamza, një prej tyre i shpallur në kërkim. Më konkretisht shtetasit Endrit Doku (27 vjeç), Ervis Cukali (27 vjeç) dhe Imer Gega (21 vjeç). Endrit Doku ishte i armatosur me pistoletë, ku u hodh në det për t’i shpëtuar arrestimit bashkë me çantën ku kishte armën, por nuk ia doli dot, pasi u kap nga policia kufitare me skaf.
Ndërkohë Ervis Cukali, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, rezultonte në kërkim për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”, teksa u arrestua edhe për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ai ishte arrestua më 28 shtator të vitit 2023, së bashku me Albi Mecinin dhe Arafat Manërkollin, pasi u kapën me një sasi prej 21 kg eksploziv dhe dyshohet se do të kryenin në atentat në Fier.
Më 19 Korrik, në Ksamil Albert Pashaj, pronari i “Euro Hotel” në Ksamil u dhunua me sende të forta (hunj) nga Agim Taraj (pronar i “Sunset Beach Bar”), Silvjan Sulku dhe Aldo Zeqiraj. Ngjarja ndodhi sërish në sy të qindra pushuesve, teksa pamjet me rrjedhjen e gjakut në fytyrë bënë xhiron e rrjetit.
Më 20 Korrik, në Sarandë u regjistruan të shtëna me armë zjarri në lagjen numër 4, në rrugën “Mitat Hoxha”. Ngjarja ndodhi sërish në sytë e qindra pushuesve, duke vënë në rrezik dhe jetën e tyre. Gjatë konflikti, i plagosur mbeti ish-efektivi i Policisë, Adil Veli, 56 vjeç, i cili sipas autoriteve është goditur me tytën e armës së zjarrit pistoletë.
Policia në komunikatën e parë për mediat e kishte me shumë rëndësi të thoshte se arma e zjarrit ishte shkrepur në mënyrë të pavullnetshme në ajër, gjatë konflikti. Nuk dihet se si doli në këtë konkluzion Policia, kur nuk dha asnjë inicial të autirit/ëve, por tha se po punon për identifikimin e tyre. Më shumë la përshtypjen e një tentative për të mbrojtur autorin.
Inicialet e autorit të dyshuar, shtetasit E.G., 44 vjeç, banues në Sarandë, u publikuan vetëm një ditë më pas në media. Ai vijon të jetë ende në kërkim, teksa ngjarja bëhet më e rëndë, nisur nga fakti se armët e zjarrit u nxorrën dhe u krepën në mes vetëm për një sherr banal që dyshohet se nisi për fjalët “Pse më shikon ashtu”.
Pra, Saranda, në kulmin e sezonit turistik është bërë një qytet i pajetueshëm jo vetëm për turistët, por edhe për banorët, pasi po mbizotërohet nga ngjarjet kriminale. Ata kanë ngritur shqetësime për mediat, teksa kanë hedhur akuza drejt forcave të Rendit.

