KQZ kërkon informacion për statusin juridit të Kreshnik Hajdarit, Maliqi: Procesi mos zvarritet! T’i hiqet mandati i vjedhur

Publikuar me datë:

Lefter Maliqi ka risjellë sot në vëmendje çështjen e kryebashkiakut të Kuçovës Kreshnik Hajdari, i cili sipas tij ndodhet në këtë post në shkelje të ligjit.

Në një postim në rrjetet sociale, Maliqi shkruan se Hajdari fshehu dënimin në Greqi në kohën që kandidoi në zgjedhje, ndërsa shtoi se duhet të vendoset drejtësi.

Sipas tij KQZ ka kërkuar “informacion urgjent” për statusin juridik të Kreshnik Hajdarit të Kuçovës, ndërsa ka bërë thirrje që procesi të mos zvarritet, por ti hiqet, mandati, që siç thotë Maliqi, është i vjedhur.

Postimi i plotë:

Pas 3 vitesh zvarritje, manovrash procedurale dhe heshtjeje të qëllimshme, sot KQZ kujtohet papritur të kërkojë “informacion urgjent” për statusin juridik të Kreshnik Hajdarit të Kuçovës!
Po pse tani ?

Pse jo në prill 2023, kur Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ju vuri zyrtarisht në dijeni, me shkresë dhe në seancë publike, për vendimin penal të formës së prerë të Hajdarit në Greqi, të vulosur me apostile?
E vërteta është vetëm një:

Kreshnik Hajdari NUK duhej lejuar fare të kandidonte në zgjedhjet e Majit 2023 për Bashkinë Kuçovë.
Por KQZ zgjodhi të “blejë kohë”, të mbyllë sytë dhe të mbrojë kandidatin e Partisë, bashkë me avokatin e tij, ish-Prokurorin e Përgjithshëm Theodhori Sollaku, i cili prej 3 vitesh përdori çdo hile procedurale për të mos lejuar daljen e plotë të së vërtetës.

Ndërkohë, qytetarët e Kuçovës e dinë shumë mirë se si u grabit ai mandat:
me përçarjen e opozitës, me presionet e “operacionales së Bistrit”,Çuçit të familjes etj ndaj mbështetësve tanë, me ndërhyrje politike nga lart, me manipulime të procesit zgjedhor dhe dyshime serioze për ndryshim kutish e procesverbalesh në KZAZ Kuçovë.
Faktet janë kokëforta.

Ne nuk kemi kërkuar “shkarkimin” personal të Hajdarit. Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë pavlefshmërinë e kandidimit të tij, sepse ai kishte fshehur një dënim penal të formës së prerë në Greqi.

Madje për këtë fakt, SPAK dhe Gjykata e Posaçme e dënuan Hajdarin me burg, të konvertuar më pas në punë në komunitet, ndërkohë që ai vazhdon ende sot të gëzojë mandatin e grabitur të kryebashkiakut.
Sot që KQZ paska nisur të kërkojë të dhëna për statusin juridik të Hajdarit në dy momente kohore, i kujtojmë KQZ se duhet të kërkojë informacion edhe për momentin kur Hajdari paraqiti kandidaturën dhe për momentin kur Koalicioni “Bashkë Fitojmë” e denoncoi zyrtarisht para KQZ-së me prova dhe dokumente ligjore.

Mos e zvarrisni më këtë kalvar juridik!
Sepse kjo histori është kthyer në një turp kombëtar dhe një tjetër skandal që i shtohet listës së gjatë të skandaleve të KQZ-së me ndërhyrje politike dhe oligarkike.

Drejtësia vonon, por nuk harron.
Kushdo që ka shkelur ligjin, kushdo që ka abuzuar me detyrën dhe ka deformuar vullnetin e qytetarëve, do të mbajë përgjegjësi para ligjit.
Demokracia duhet të vihet në vend.
Haka duhet të shkojë tek i zoti!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related