Gjashtë fëmijë që ndjekin një kopsht në qytetin e Korçës kanë kërkuar trajtim mjekësor, pasi dyshohet se kanë pësuar intoksikim nga ushqimi.
Të miturit janë shtruar në repartin e Pediatrisë në Spitalin e Korçës dhe aktualisht janë nën kujdesin e mjekëve. Informacionet paraprake bëjnë me dije se gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe nuk paraqet rrezik.
Dyshohet se shkaku i mundshëm i intoksikimit lidhet me ushqimin e konsumuar në institucionin parashkollor, megjithatë shkaku i vërtetë nuk është identifikuar ende.
Policia ka nisur hetimet për të sqaruar ngjarjen. Në kuadër të verifikimeve do të kontrollohet ushqimi i shpërndarë për fëmijët dhe kushtet në të cilat është përgatitur dhe servuar.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore do të kryejnë analizat përkatëse për të përcaktuar arsyen e saktë të intoksikimit.

