Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një intervistë të fundit për Reuters, ka sinjalizuar se Ukraina synon të rrisë frekuencën e sulmeve ndaj rafinerive ruse të naftës si kundërpërgjigje ndaj valës më të re të sulmeve ajrore nga ana e Rusisë kundër infrastrukturës ukrainase.
Gjatë intervistës, Zelensky përsëriti kritikat ndaj presidentit rus Vladimir Putin, duke theksuar se përpjekjet për të negociuar me të janë të kota.
“Unë besoj se Shtetet e Bashkuara duan vërtet ta ndalojnë luftën e Rusisë. Unë u besoj atyre. Nga ana tjetër, e kuptoj se është e vështirë të ndalosh dikë që është i fortë dhe nuk dëshiron të ndalet. Kjo është arsyeja pse kërkohen kompromise me Rusinë.
Megjithatë, mendoj se po humbasim kohë nëse përpiqemi të luajmë lojën e kompromiseve ruse. Sepse, nëse Putini e kupton se je i gatshëm të mbështesësh diçka, ai do të përpiqet të paraqesë një ide tjetër, të paraqesë çështje të reja dhe kushte të reja.
Qeveri e re – kushte të reja. Ndryshimi i udhëheqësve në Evropë? Kushtet e reja. Politika amerikane? Presidenti Trump u shfaq – shumë i fortë – dhe dolën kushte të reja.
Ai po përpiqet të jetë shumë i sjellshëm. Tani, Shtetet e Bashkuara përballen me një sfidë në Lindjen e Mesme: negociatat me Iranin. Do ta shihni Rusinë duke vendosur kushte të reja.
Presidenti Trump dëshiron të shënojë një fitore para zgjedhjeve të mesit të mandatit. Por Putini do të bëjë gjithçka për të forcuar iranianët dhe për ta bërë të gjithë situatën të panegociueshme”, deklaroi Zelensky.
“E njëjta gjë vlen edhe për luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Nëse Putini e sheh se Presidenti Trump ka nevojë për një fitore, ai do të vendosë se çfarë të japë dhe çfarë jo. Dhe ja ku qëndron problemi: Putini ka filluar të besojë se ai është ai që vendos.
Por Amerika është njëqind herë më e fortë se Rusia. Pa dyshim. Ata thjesht duhet ta mbajnë mend këtë.”
Zelensky u shpreh se Kievi është i vendosur që t’iu përgjigjet goditjeve ruse ndaj rrjetit të tij energjetik me operacione të synuara kundër sektorit energjetik të Rusisë.
Rafineritë ruse të naftës, sipas presidentit ukrainas, janë objektivi kryesor pasi të ardhurat nga këto objekte financojnë vazhdimin e luftës nga ana e Moskës.
“Me sulmet e tyre ndaj energjisë sonë, ne duhet t’i përgjigjemi energjisë së tyre. Para së gjithash, rafinerive, çdo gjëje që u jep atyre para për këtë luftë”, tha Zelensky.
Kreu i shtetit theksoi gjithashtu se Ukraina nuk ka ndërmend të përdorë strategjinë ruse të goditjes pa dallim të objektivave civile.
Gjatë intervistës, Zelensky deklaroi se shërbimet sekrete të Ukrainës kanë siguruar dokumente që, sipas tij, dëshmojnë miratimin nga ana e Putinit të një “doktrine të re” për sulme, e cila zgjeron numrin e objektivave të mundshëm para ardhjes së dimrit.
Zelensky shpjegoi se kjo strategji synon të rrisë trysninë ndaj popullsisë së qyteteve të mëdha, përfshirë kryeqytetin, për t’i detyruar njerëzit të largohen.
“Ne kemi parë dokumente dhe e dimë se ato i lejojnë ata të godasin infrastrukturën, logjistikën, rrugët, shkollat dhe spitalet, me qëllim që t’i detyrojnë njerëzit të largohen nga kryeqyteti dhe qytete të tjera”, tha Zelensky.
Zelensky iu referua gjithashtu një kundërsulmi të Ukrainës në rajonin e Donbasit, të koduar “Vivaldi”, duke theksuar se forcat e armatosura të Ukrainës kanë rimarrë rreth 140 kilometra katrorë territor.
“Operacioni ‘Vivaldi’ është shumë i suksesshëm. Ai nuk ka përfunduar ende. Deri më sot, janë çliruar rreth 125-140 kilometra katrorë. Është domethënëse që numri i rusëve të vrarë dhe të plagosur është rritur gjatë 2-3 muajve të fundit. Që nga fillimi i vitit, ata kishin 30-32 000 të vrarë.”
Presidenti ukrainas foli edhe për avancimet teknologjike në arsenalin ushtarak të Ukrainës, duke përfshirë përdorimin e raketës balistike të prodhuar në vend, FP-7, të cilën Ukraina e testoi për herë të parë këtë javë. Kompania Fire Point po zhvillon gjithashtu raketën FP-9 me rreze më të gjatë.
Zelensky pohoi se kishte marrë kontakt personalisht me prodhuesin për të përshpejtuar prodhimin e versionit të ri të raketës.
“U thashë atyre: ‘Ku është FP-9 im? Na duhet FP-9’”, tha ai, duke shtuar se vlerësonte se raketa do të ishte gati deri në vjeshtë.
Sipas kompanisë Fire Point, raketa FP-9 është projektuar për të goditur objektiva deri në 850 kilometra largësi, duke e futur edhe Moskën brenda rrezes së saj të mundshme.
Një tjetër sfidë për Kievin janë dronët e rinj Shahed të Rusisë, më të shpejtë dhe të pajisur me motorë reaktivë.
Sipas Zelenskyt, avionët luftarakë ukrainas F-16 dhe MiG janë të detyruar të rrëzojnë rreth 60% të këtyre dronëve, megjithatë rezervat e tyre të municioneve 20 milimetra janë të kufizuara.
Presidenti njoftoi se Ukraina po teston pesë modele të reja dronësh interceptues, ku dy prej këtyre modeleve kanë siguruar rreth 30% sukses deri më tani.
Kievi, ndërkohë, është në pritje të furnizimeve të para me raketa të vogla dhe me kosto të ulët kundër avionëve, të cilat pritet të përshtaten ndaj versioneve më të reja të Shahedëve në pjesën e dytë të tetorit.

