Deputeti Kliti Hoti ka reaguar me tone kritike ndaj nismës për zhvillimin e takimeve të përjavshme me qytetarët, çdo të premte në orën 17:00, për dëgjimin e problematikave dhe shqetësimeve të tyre.
Në reagimin e tij, Hoti e cilëson këtë nismë si një tregues të dështimit të institucioneve, duke ngritur pikëpyetje mbi nevojën që deputetët të shndërrohen në ndërmjetës për problemet që qytetarët duhet t’i zgjidhin përmes administratës publike.
Sipas tij, nëse një qytetar, pasi nuk ka marrë zgjidhje në dyert e institucioneve, duhet t’i drejtohet deputetit për çështje që lidhen me hipotekat apo shërbime të tjera publike, atëherë problemi qëndron te funksionimi i vetë shtetit.
Hoti kritikon gjithashtu atë që e konsideron si pabarazi në trajtimin e qytetarëve, duke argumentuar se një sistem ku zgjidhja varet nga ndërhyrja e një politikani krijon një marrëdhënie klienteliste dhe e kthen të drejtën në favor politik.
“Qytetarët nuk kanë nevojë për takime të së premtes për t’u dëgjuar. Kanë nevojë për institucione që punojnë çdo ditë”, shprehet Hoti, duke theksuar se deputeti duhet të jetë përfaqësues i qytetarëve në Kuvend dhe jo ndërmjetës i tyre me administratën.
Në përfundim, ai kërkon një shtet ku qytetarët të marrin shërbimet që u takojnë pa qenë të detyruar të kërkojnë ndihmën e një politikani.
“Në një shtet normal, e drejta nuk kërkohet te dera e partisë. Merret në zyrën e shtetit”, përfundon reagimin e tij Kliti Hoti.

