Situata e zjarreve në Fier ka dalë jashtë kontrollit për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të fortë, duke krijuar një rrezik potencial për zonat e afërta. Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, konfirmoi se të gjitha strukturat vendore dhe ushtarake po punojnë pa ndërprerje nga toka dhe ajri për ta vënë vatrën nën kontroll.
Prioriteti kryesor i forcave të ndërhyrjes mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe e zonave të banuara, ndërsa kapacitetet për evakuim janë në gatishmëri të plotë. Edhe pse bizneset pranë zonës aktive u shpëtuan pa dëme, rreziku mbetet i lartë. Çako iu bëri thirrje qytetarëve për kujdes maksimal, duke nërvijëzuar se faktori njeri mbetet shkaku kryesor i kësaj situate kritike.
“Janë angazhuar të gjitha forcat dhe strukturat, nga toka dhe nga ajri, të gjitha njësitë vendore, të suportuara dhe të mbështetura edhe nga forcat nga ajri me helikopter. Jemi duke punuar për të vendosur përfundimisht në kontroll zjarrin.
Natyrisht që, për shkak të turbulencave të erës dhe temperaturave të larta, zjarri ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Po punohet për të evituar çdo lloj problemi që mund të ketë në zonat e banuara dhe me njerëzit. Kjo është një prioritet i padiskutueshëm. Vazhdojmë punën.
Kapacitetet për të evakuuar janë në gatishmëri, pasi zjarri ka qenë më shumë pranë disa njësive të bizneseve, të cilat, fatmirësisht, janë shpëtuar dhe nuk janë shkrumbuar apo djegur nga zjarri.
Por, gjithsesi, mbetet akoma problem. Mbetet një rrezik potencial dhe njerëzit duhet të na mirëkuptojnë, përtej faktit që duhet të jenë të kujdesshëm në ndezjen e zjarreve në këto temperatura të jashtëzakonshme, sepse, kuptohet, zjarri ka faktor vetëm njeriun”, tha Çako.

