Deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti, ka reaguar lidhur me investimin prej 87 mijë eurosh për një pikë informacioni turistik në Shkodër, duke vënë në diskutim mënyrën se si po konceptohet zhvillimi i turizmit në qytet.
Hoti ngre pikëpyetje nëse ndërtimi i një hapësire fizike është zgjidhja më e përshtatshme në një kohë kur turistët orientohen gjithnjë e më shumë përmes telefonit, hartave online dhe platformave digjitale.
Sipas tij, fondet do të mund të përdoreshin për krijimin e një sistemi modern informimi, që do të përfshinte një platformë dhe aplikacion shumëgjuhësh, harta interaktive, QR Code në pikat turistike, itinerare dhe informacion mbi monumentet, shtigjet, transportin dhe sigurinë.
Deputeti demokrat kritikon edhe mungesën, sipas tij, të informacionit të përditësuar në seksionin e turizmit në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër, duke e cilësuar si problem për turistët që kërkojnë të planifikojnë vizitën e tyre online.
Hoti argumenton se një sistem digjital do ta bënte informacionin të aksesueshëm nga çdo zonë turistike e territorit, nga Shiroka e Zogaji deri në Velipojë dhe Theth, pa qenë nevoja që vizitorët të drejtohen fizikisht në një zyrë informacioni.
“Çështja nuk është nëse Shkodra ka nevojë apo jo për një pikë informacioni turistik, por nëse modeli që po financohet i përgjigjet mënyrës se si udhëtojnë turistët sot”, shprehet ai.
Në reagimin e tij, Hoti e vendos theksin te digjitalizimi dhe pyet nëse 87 mijë eurot do të mund të sillnin më shumë rezultat nëse do të investoheshin në një infrastrukturë të përbashkët digjitale për të gjithë territorin e Shkodrës.
Ai e mbyll reagimin duke vënë përballë dy alternativa: një zyrë fizike informacioni apo një sistem digjital që i jep turistit informacion në kohë reale, kudo që ndodhet.
“Turisti i sotëm e kërkon destinacionin në telefon. Prandaj edhe informacioni duhet të jetë aty ku është turisti”, argumenton Hoti.


