Sherif Kallaku ka qenë një ndër emrat më të spikatur të Vllaznisë gjatë kësaj merkatoje verore. Fantazisti i njohur po tërheq vëmendjen e të gjithëve, ndërsa duket se ende nuk ka arritur të përcaktojë destinacionin e tij të ardhshëm.
Megjithëse “De Juro”, 28-vjeçari është pjesë e skuadrës shkodrane falë rinovimit automatik të klauzolës 1+1, Teuta ka shprehur një interes të dukshëm për të siguruar shërbimet e tij.
Sidoqoftë, burime të brendshme bëjnë të ditur se drejtuesit e Vllaznisë kanë vendosur të mos lejojnë largimin e tij nga ekipi.
Siç përcaktohet në kontratën e tij, Kallaku është i obliguar të qëndrojë me kuqeblutë deri në përfundim të edicionit të ardhshëm. Bisedimet për të ardhmen e tij vazhdojnë, dhe drejtuesit e Vllaznisë kanë kërkuar një shumë prej 200 mijë euro për kartonin e tij.
Kjo shumë përbën një vlerë të konsiderueshme, sidomos duke marrë parasysh situatën ekonomike të futbollit shqiptar. Mbetet për t’u pritur me interes deri në fund të këtij sesioni për të zbuluar se çfarë do të ndodhë, ndërsa Kallaku është i bllokuar midis Durrësit dhe Shkodrës.

