Komanda e Përbashkët Ushtarake e Iranit ka lëshuar një paralajmërim të rreptë për të gjitha anijet që lundrojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, duke kërkuar respektimin e vetëm rrugëve detare të miratuara nga autoritetet iraniane.
Në një deklaratë të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian, autoritetet në Teheran theksuan se çdo anije që devijon nga korridoret e përcaktuara për lundrim ose që nuk i përmbahet udhëzimeve të Republikës Islamike do të përballet me një “përgjigje të menjëhershme dhe të fuqishme” nga forcat e armatosura iraniane.
“Çdo dështim për t’u përmbajtur, devijim nga rruga e caktuar ose shkelje e protokolleve të lundrimit të Republikës Islamike të Iranit në Ngushticën e Hormuzit do të përballet me një përgjigje të menjëhershme dhe të fuqishme nga forcat e armatosura”, thuhet në këtë deklaratë.
Ky paralajmërim është bërë nga komanda ushtarake Khatam al-Anbiya dhe ndodhet një ditë pas bllokimit të një anijeje në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa lundronte në një rrugë që autoritetet iraniane deklaruan se nuk ishte miratuar nga Teherani.
Deklarata e fundit rrit tensionet në këtë nga pikat më strategjike të transportit detar global. Ngushtica e Hormuzit është rruga kryesore për eksportin e naftës nga vendet e Gjirit Persik, dhe çdo incident në këtë zonë mund të ketë pasoja të menjëhershme për tregjet globale të energjisë dhe për sigurinë e lundrimit ndërkombëtar.

