Ish-presidenti Ilir Meta ka dalë në mbështetje të protestës së banorëve të Orikumit, të cilët kërkojnë rikthimin e njësisë së tyre në statusin e bashkisë.
Në një reagim në rrjetet sociale nga qelia, Meta e cilëson kërkesën e banorëve legjitime dhe argumenton se bashkimi i Orikumit me Bashkinë Vlorë ka rezultuar në një dështim.
Meta thekson potencialin turistik të Orikumit dhe shprehet se rikthimi i 100 bashkive do t’i afronte shërbimet dhe vendimmarrjen më pranë qytetarëve.
Krahas Orikumit, Meta shprehu mbështetje edhe për banorët e Selenicës, duke kundërshtuar çdo përpjekje për bashkimin e kësaj bashkie me Vlorën.
Postimi i plotë:
Mbështetje të plotë për protestën e banorëve të Orikumit për rikthimin e statusit të Bashkisë Orikum!
Partia e Lirisë mbështet fuqimisht kërkesën plotësisht legjitime të banorëve të Orikumit për rikthimin e Bashkisë së tyre.
Faktet kanë provuar dështimin total të eksperimentit të shkrirjes së saj me Bashkinë Vlorë.
Potencialet për zhvillimin e Orikumit, që të jetë Bashki më vete, janë të jashtëzakonshme, nga turizmi malor te ai bregdetar, që mund të krijojnë mirëqënie dhe vende pune për mijëra familje.
Bashkia Vlorë, që nuk ka arritur të zgjidhë problemet e ujit të pijshëm, të menaxhimit të mbetjeve urbane dhe të shërbimeve bazë për qytetarët e saj, as që mund të pretendohet se do të kujdeset siç duhet edhe për banorët e Orikumit apo edhe komunitetet e tij, Dukatin, Tragjasin e plot të tjera, të cilat janë përbuzur dhe lënë prej vitesh krejtësisht jashtë vëmendjes?
Orikumi nuk mund të trajtohet kurrsesi më si një aneks i Vlorës.
Prandaj, alternativa e opozitës për rikthimin e 100 bashkive është rruga e vetme për t’iu kthyer shërbimet më pranë qytetarëve dhe për t’i dhënë fund rrëmbimit të pushtetit vendor dhe financave të tij.
Protesta e banorëve të Orikumit është një arsye më shumë edhe që banorët e Selenicës të mbrojnë me shumë të drejtë Bashkinë e tyre nga shkrirja me Bashkinë e Vlorës, e cila kryetarin “de facto” e ka në Tiranë, në zyrën e Kryeministrit, i cili e ka mendjen vetëm si të grabisë tokat në bregdet për ta betonizuar totalisht, ndaj edhe ka shkarkuar mbi 15 drejtorë të kadastrës.

