Pas më shumë se nëntë vjetësh në krye të shtetit, Aleksandër Vuçiç ka njoftuar dorëheqjen nga posti i Presidentit të Serbisë. Në adresimin e tij të fundit nga Presidenca, Vuçiç u shpreh: “ka ardhur ora e vendimit”, duke i falënderuar qytetarët për besimin e treguar në zgjedhjet presidenciale të viteve 2017 dhe 2022.
Duke e cilësuar situatën si hyrje në një “kapitull të ri”, Vuçiç në fjalimin e lamtumirës bëri një përmbledhje të periudhës së tij në udhëheqje, duke vënë theksin te zhvillimi ekonomik, rritja e punësimit dhe ruajtja e, siç theksoi ai, paqes dhe stabilitetit përballë krizave të fundit.
Një pjesë të shtrirë të fjalës së tij ja dedikoi çështjes së Kosovës, duke nënvizuar rëndësinë e përkushtimit të ardhshëm ndaj mbështetjes për serbët e Kosovës.
“Do të duhet të mbrojmë popullin tonë në Kosovë dhe të mos lejojmë ata që do të përpiqen t’i bindin të gjithë që të heqim dorë sa më shpejt nga Kosova, sepse kështu, sipas tyre, nuk do të shohim më nga e kaluara, por nga e ardhmja. Prandaj, të gjithë do të duhet t’i rezistojnë kësaj. Qytetarët le të mendojnë vetë”, tha Vuçiç.
Më tej, Vuçiç u ndal te perspektiva që, sipas tij, duhet të ndjekë Serbia, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të integrimit në Bashkimin Evropian, krahas ruajtjes së lidhjeve me partnerët tradicionalë në Lindje.
“Serbia, duke vazhduar rrugën e saj evropiane dhe duke u kujdesur për miqtë e saj tradicionalë në Lindje, do të duhet të zhvillohet ekonomikisht edhe më shpejt”, tha ai.
Në fund të fjalës, Vuçiç shpalli gjithashtu vendimin për faljen dhe amnistinë e 49 personave, prej të cilëve 23 kanë të bëjnë, siç tha ai, me ngjarjet e një viti e gjysmë të fundit në vend.
Vendimi i Vuçiçit për dorëheqje vjen në një moment të rëndësishëm politik, pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit. Ai bëri të ditur se do të jetë pjesë e fushatës si qytetar dhe është kandiduar për postin e kryeministrit nga Partia Progresive Serbe.
Pas largimit të tij, kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç, do të marrë përkohësisht përgjegjësitë e presidentit të Serbisë, deri në zgjedhjen e pasardhësit të ri.

