Valë e fuqishme e të nxehtit vazhdon të shkaktojë pasiguri në Evropë, duke u ndjerë ndjeshëm edhe në Itali. Sipas raportimeve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në 24 orët e fundit, pesë individë kanë humbur jetën si rezultat i temperaturave ekstreme në këtë vend.
Autoritetet italiane kanë shpallur alarm të kuq, niveli më i lartë i rrezikut, për 25 qytete të mëdha në Itali. Parashikimet sugjerojnë që kjo situatë pritet të vazhdojë e pandryshuar edhe gjatë ditës së nesërme.
Ndërkohë, meteorologët kanë lajmëruar se një ndryshim në mot do të ndodhë që nga pasditja e së mërkurës, me reshje të dendura shiu që priten në shumë zona të Italisë veriore, disa herë të shoqëruara me breshër. Të enjten, moti i paqëndrueshëm do të përfshijë edhe rajonet qendrore të vendit.
Për të siguruar mbrojtje qytetarëve dhe turistëve ndaj temperaturave të larta, shumë bashki italiane kanë vendosur të ofrojnë hyrje falas në muze deri në përfundim të valës së të nxehtit.
Këto hapësira, së bashku me palestrat dhe qendrat kulturore, po shërbejnë si “strehë klimatike”, duke ofruar ambiente të freskëta për ata që kërkojnë ndihmë gjatë orëve më të nxehta të ditës.

