Zbulime të reja kanë dalë nga operacioni “Lulet e së keqes” në Greqi, gjatë të cilit autoritetet sekuestruan 84 kilogramë kokainë dhe arrestuan disa shtetas shqiptarë. Midis të ndaluarve ndodhet edhe një individ me rrezikshmëri të lartë, i shumëkërkuar në Shqipëri për vrasje, identiteti i të cilit mbetet i pazbuluar, sipas deklaratës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
“Kemi pasur një shkëmbim në kohë reale të informacionit me homologët grekë. Ata na kanë bërë me dije për një operacion në Athinë, ku kanë kapur një sasi lënde narkotike, kokainë, dhe janë arrestuar disa shtetas shqiptarë. Mes tyre është edhe një person në kërkim për llogari të Shqipërisë, i dënuar për vrasje, me rrezikshmëri të lartë, por ngaqë informacioni është konfidencial, nuk mund të bëj publik emrin. Ne kemi vazhduar verifikimet në të gjithë pjesën sa na takon ne, duke filluar hetimet tona në lidhje me këtë rast të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.”
Burime bëjnë të ditur se shqiptari banonte në një vilë të shtrenjtë në Marathona të Greqisë, ku u arrestua bashkë me të birin. Gjatë kontrollit në rezidencë, policia zbuloi 2 kilogramë kokainë, peshoresa, kimikate dhe mjete të tjera të përdorura për paketim të drogës. Ka dyshime të forta se sasia prej 84 kilogramësh kokainë ishte parashikuar të transportohej po në këtë banesë. Gjithashtu, gjatë kontrollit në oborr, oficerët gjetën një armë zjarri të tipit pistoletë të fshehur nën tokë, poshtë barit sintetik; në vilë u sekuestrua edhe një automjet luksoz.
Autoritetet greke raportuan se numëruan gjithsej 1,058 shufra plastike të përpunuara në mënyrë profesionale, që përfaqësonin kërcenj artificialë trëndafilash të ardhur nga Kolumbia, ku secila përmbante 79 gramë kokainë të pastër. Sipas vlerësimeve zyrtare, vlera e përgjithshme e drogës së sekuestruar shkon në 2.4 milionë euro.
Operacioni policor u krye mbrëmjen e së mërkurës në aeroportin e Athinës. Sasia e madhe e kokainës, 84 kilogramë, ishte fshehur brenda një ngarkese me lule, me qëllim futjen e saj në Greqi pa u zbuluar nga autoritetet.

