I mori një shtetasi 3 mijë euro për favorizim në gjykatë, Apeli konfirmon dënimin për ish-policin Shuaip Cami

Publikuar me datë:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur këtë të martë vendimin për çështjen penale ndaj Shuaip Camit dhe Fluturim Bajramit.

Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça, Dhimitër Lara dhe Iliriana Olldashi vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të GJKKO për të pandehurin Shuaip Cami.

Vendimi i Shkallës së Parë të GJKKO për Shuaip Camin ishte dënimi me 2 vite burgim për veprën penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të drejtësisë”, si dhe heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. Ky dënim u dha pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, pasi fillimisht ai ishte dënuar me 3 vite burg.

Ndërkohë, Apeli ndryshoi pjesërisht vendimin për të pandehurin Fluturim Bajrami, duke e shpallur fajtor për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas vendimit, Bajrami u dënua me 1 vit e 3 muaj burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 10 muaj burg.

Shuaip Cami dhe Fluturim Bajrami janë përfshirë në një dosje të SPAK që lidhet me favorizimin e një personi të akuzuar për plagosje me thikë në Dibër në vitin 2020.

Sipas hetimeve, ngjarja lidhet me shtetasin Adrian Shahi, i cili akuzohej për “vrasje me dashje” të mbetur në tentativë, pasi kishte plagosur me thikë Bukurosh Zagradin në Peshkopi.

Shuaip Cami ishte oficer i Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Dibrës dhe kishte ndjekur veprimet e para hetimore për çështjen ndaj Adrian Shahit.

Sipas SPAK, ai akuzohet se ka kërkuar dhe marrë 3 mijë euro nga Flamur Kurti, me premtimin se do të favorizonte pozitën procedurale të Adrian Shahit në hetime. Për këtë arsye ai u akuzua për “korrupsion pasiv të funksionarëve të drejtësisë”.

Fluturim Bajrami rezulton sipas SPAK të ketë lidhje krushqie me Adrian Shahin.

Hetimet thonë se ai i ka dhënë 2 mijë euro efektivit të policisë Qemal Vranezi, me qëllim që të arrihej pajtimi mes Adrian Shahit dhe të plagosurit Bukurosh Zagradi, duke ndihmuar kështu favorizimin e autorit të ngjarjes.

Për këtë arsye, Apeli i GJKKO e shpalli fajtor për “korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe e dënoi me 10 muaj burg pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Pas shembjes së objektit gjatë aksionit të Bashkisë Shkodër, Cliché nis protestën e heshtur

Biznesi Cliché ka njoftuar se do të pezullojë aktivitetin...

Emri/ Aksident në aksin Rrëshen-Reps, makina përplas kalimtarin

Një aksident i rëndë është regjistruar mëngjesin e kësaj...

16 ditë protestë/ Pollo: Asnjë përpjekje për dialog, pse nuk reagojnë institucionet?

Ish-deputeti dhe ish-ministri Genc Pollo ka reaguar lidhur me...