Dy shqiptarë dhe një shtetas grek janë arrestuar nga policia greke, pasi dyshohet se kanë dhunuar brutalisht një shtetas indian në qytetin e Thivës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit të së shtunës, në rrugën “Dirkis”. Sipas mediave greke, tre personat dyshohet se kanë sulmuar fizikisht viktimën, e cila tentoi të largohej drejt zonës qendrore të këmbësorëve.
Por autorët dyshohet se e kanë ndjekur dhe kanë vijuar ta godasin.
Policia greke nisi hetimet për identifikimin e personave të përfshirë në ngjarje, duke analizuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë.
Pas hetimeve, tre të dyshuarit u identifikuan dhe u arrestuan gjatë së dielës. Sipas raportimeve, njëri prej tyre jetonte në një banesë pranë rrugës kryesore të këmbësorëve në Thivë.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të sulmit.

