I jepet lamtumira e fundit oficerit të policisë Ermal Lulaj, 41-vjeçari ishte babai i tre fëmijëve

Familjarë, të afërm, miq dhe kolegë i kanë dhënë lamtumirën e fundit oficerit të Policisë së Shtetit, Ermal Lulaj, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident rrugor në autostradën Fier-Vlorë, pranë Novoselës.

Homazhet në nderim të tij janë zhvilluar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku kolegë dhe drejtues të Policisë së Shtetit kanë shprehur ngushëllimet për familjen dhe kanë kujtuar figurën e 41-vjeçarit.

Ermal Lulaj mbante detyrën e shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Ai ishte baba i tre fëmijëve të mitur dhe largohet nga jeta në mënyrë të parakohshme, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët dhe kolegët.

Në homazhe mori pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me gradën Drejtues Madhor, Skënder Hita, i cili shprehu keqardhjen për humbjen e kolegut dhe vlerësoi figurën e tij njerëzore dhe profesionale.

“Ermalin e kam njohur që në fillimet e karrierës. Ndjej një keqardhje shumë të madhe për mënyrën se si u largua kaq shpejt nga jeta. Na u largua një baba i tre fëmijëve, bir i një familjeje shumë të mirë dhe një koleg i shkëlqyer. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë kolegëve”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

Aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 18:00, në autostradën “100 Vjetori”, në aksin Fier-Vlorë, ku automjeti Toyota me të cilin udhëtonte efektivi i policisë u përplas me një mjet të tonazhit të rëndë, skrep.

Si pasojë e përplasjes, Ermal Lulaj humbi jetën në vendngjarje, ndërsa drejtuesi i skrepit u dërgua në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Humbja e parakohshme e 41-vjeçarit ka tronditur familjen, miqtë dhe kolegët e tij, të cilët do ta kujtojnë si një profesionist dhe një njeri të përkushtuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe