Qendra shëndetësore nr. 10 në Tiranë vazhdon të përballet me një situatë të rëndë pastrimi, me mbeturina që rrethojnë të gjithë ambientin. Një zonë e cila duhet të ishte e pastër tani është e mbushur me grumbuj plehrash dhe mbetje inerte, të cilat kanë mbetur aty pranë kazanëve të mbushur për muaj të tërë.
Kjo situatë alarmante është denoncuar publikisht, por ende Bashkia e Tiranës dhe kompania e pastrimit, Eco Tirana, nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për ta zgjidhur atë.
Mbetjet urbane dhe materialet inerte janë grumbulluar në afërsi të qendrës shëndetësore, duke kontribuar në krijimin e një ambienti të rrezikshëm për pacientët dhe banorët e zonës.
Qytetarët e kësaj lagjeje shprehin shqetësimin për këtë problem të vazhdueshëm dhe kërkojnë zgjidhje të shpejta. “E paguajmë ne bashkinë, shtetin. Edhe jetojmë ne këtu, e para është spitali, skandaloze,” thotë një banor i irrituar.
Banorët e zonës e cilësojnë situatën si të papranueshme. “Aq na shqetësojnë sa nuk e ke idenë. Për të qenë është shumë e rëndë,” shprehet një tjetër qytetar.
Disa të tjerë theksojnë se ky problem është bërë një shqetësim i zakonshëm dhe sugjerojnë se policia duhet të fokusohet jo vetëm në gjobat për automjetet, por gjithashtu të sigurojë që kazanët të mbushen me plehra.
Ndërkohë, punonjësit e Eco Tirana duket se janë gjithnjë e më të rrallë në terren. Banorët e kanë denoncuar se mbeturinat nuk janë pastruar për më shumë se një muaj.
“Masa duhet të merren, është e përhershme njësoj,” shprehet një qytetar. Kjo heshtje nga ana e institucioneve tregon një mungesë të dukshme përgjegjësie për një çështje që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin publik.

