Goraj-Budishta po zbrazet, banorët: “Jemi lënë pa shërbime, fshati po shuhet”

Publikuar me datë:

Në Goraj-Budishtë të Malësisë së Madhe, gjurmët e shpopullimit duken kudo. Banesa të braktisura e të dëmtuara, rrugë pothuajse të boshatisura dhe një komunitet që çdo vit bëhet më i vogël janë realiteti i këtij fshati.

Nga mbi 300 banorë që jetonin dikur në zonë, sot kanë mbetur rreth 100. Pjesa më e madhe e tyre janë të moshuar, ndërsa familjet e reja janë larguar kryesisht për shkak të mungesës së punës, investimeve dhe shërbimeve bazë.

Edhe brezi i ri që ka mbetur e sheh largimin si një mundësi për të ardhmen. Ndërsa ata që rikthehen gjatë verës për të vizituar familjarët tregojnë se nuk shohin arsye që do t’i bindnin të ndërtonin jetën e tyre në fshat.

Situata pasqyrohet edhe te infrastruktura arsimore. Dy shkollat e Goraj-Budishtë janë mbyllur prej vitesh dhe godinat e tyre vijojnë të degradohen. Fëmijët e paktë që jetojnë ende aty duhet të udhëtojnë çdo ditë drejt Zagorës, rreth 15 minuta larg me makinë, për të ndjekur mësimin në klasa kolektive.

Ndërkohë, shumë prej banesave të dikurshme kanë mbetur të boshatisura dhe disa prej tyre janë shembur, duke lënë pas një peizazh që tregon qartë tkurrjen e komunitetit.

Banorët thonë se, pavarësisht se fshati ndodhet rreth 40 minuta nga Shkodra, mungesa e shërbimeve dhe mundësive ekonomike po e bën gjithnjë e më të vështirë jetesën aty.

Goraj-Budishta është një tjetër shembull i krizës së shpopullimit që po prek fshatrat e Malësisë së Madhe dhe zona të tjera rurale të Shqipërisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related