Aktivisti Mirsad Basha ka reaguar për mungesën e aktiviteteve në Shkodër me rastin e “Ditës Botërore Pa Makina”, që shënohet më 22 shtator.
Në një reagim në rrjetet sociale, Basha kritikon Bashkinë e Shkodrës, duke ngritur pikëpyetje mbi mungesën e aktiviteteve apo njoftimeve për këtë ditë.
Sipas tij, prej vitesh në Shkodër kjo ditë është shoqëruar me aktivitete dhe iniciativa për promovimin e ecjes, biçikletave dhe mënyrave alternative të transportit, ndërsa këtë vit, sipas aktivistit, nuk është organizuar asnjë aktivitet.
“Ku jeni Ermira Teliti dhe Benet Beci?”, shkruan Basha, duke shtuar se “asnjë aktivitet, asnjë njoftim, asnjë përpjekje” nuk është bërë për ta kthyer këtë ditë në një mesazh për qytetarët.
Aktivisti e lidh mungesën e aktiviteteve me atë që ai e konsideron si prioritete të tjera të Bashkisë, duke kritikuar fokusin tek “betoni, asfalti” dhe aktivitetet me kosto të lartë.
“Promovimi i qytetit dhe lëvizja e shëndetshme nuk janë në prioritetet e tyre”, pretendon Basha.
Në fund të reagimit, aktivisti publikon edhe foto nga aktivitetet e viteve të mëparshme, duke theksuar se “Dita Pa Makina” është organizuar prej vitesh në Shkodër.

