Ambasadori gjerman, Karl Bergner, duke përkujtuar viktimat e masakrës së Borovës, foli nga Kolonja për protestat që u karakterizuan nga episode tensioni në kryeqytet.
“Çdo aktivitet i shoqërisë civile që përkon me standardet e Bashkimit Evropian është i mirëpritur. Protestat e dhunshme, megjithatë, nuk janë në përputhje me vlerat e BE-së. Diskutimi mbi atë se kush do të mbajë përgjegjësi për to vazhdon,” shprehu ai.
Ai theksoi gjithashtu se mbështesin procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht në aspektin teknik.
“Ky është një moment shumë i dhimbshëm për ambasadën gjermane, sepse sot ne jemi këtu për të nderuar viktimat e masakrës që ndodhi nga forcat gjermane më 6 korrik 1943. Këtë vit shënojmë 83 vjetorin e asaj ngjarjeje tragjike, kur 107 burra, gra dhe fëmijë u vranë. Kjo është një dhimbje e madhe për mua, pasi ndiej dhembjen e popullsisë këtu, për ata që nuk kanë mundur t’i njohin gjyshërit, xhaxhallarët apo tezet e tyre, vëllezërit që nuk u rritën.”
“Si ambasador, kjo është gjithashtu e dhimbshme për mua, sepse këto ngjarje ndodhën në emër të popullit gjerman. Megjithatë, ne dëshirojmë të shikojmë përpara në këtë vend, të kujtojmë emrat e atyre që humbën jetën dhe, po ashtu, të nxjerrim mësime nga historia. Duam që të mësojmë se si mund të parandalojmë përsëritjen e ngjarjeve të tilla.”
“Ne shpesh thërrasim ‘asnjëherë më’, dhe ky është një rast ku kërkojmë që ngjarje të tilla të mos ndodhin më. Kjo arrihet duke vendosur rregulla që përfshijnë tolerancën, të drejtat e njeriut dhe zbatimin e ligjit, që janë gjithashtu vlera të Bashkimit Evropian. Prandaj, mbështesim popullin shqiptar në përpjekjet e tij për të qëndruar në përputhje me këto parime, duke mbështetur procesin e integrimit, sidomos në aspektin teknik. Duhet të vlerësojmë gjithashtu ata që e zbatojnë përditë këtë sistem vlerash dhe ata që angazhohen për zbatimin e ligjit, mbrojtjen e natyrës dhe çështjet tjera që lidhen me procesin e integrimit.”
“Do doja të theksoja se ky është një moment që duhet të shërbejë për të mësuar nga e shkuara, për të kujtuar dhe nderuar viktimat, për të ndarë dhimbjen me familjet e tyre dhe për të shikuar përpara,” përfundoi ai.

