Drejtësia franceze ka vendosur që biznesmeni Ermal Beqiri të qëndrojë në paraburgim, ndërkohë që autoritetet franceze vijojnë shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e tij.
Gjykata e Apelit në Amiens refuzoi lirimin nga qelia për Beqirin, duke hedhur poshtë pretendimet e mbrojtjes se ndalimi i tij është i paligjshëm.
Më 20 gusht, Beqiri iu drejtua Gjykatës së Apelit në Amiens me një kërkesë për të dalë nga paraburgimi, duke argumentuar se mbahet padrejtësisht. Megjithatë, trupa gjyqësore vendosi të mos e pranojë këtë kërkesë.
“Avokati i tij argumentoi se ai është viktimë e ‘ndalimit të paligjshëm’.”
“Avokati theksoi se klienti i tij, përpara incidentit të Penly, kishte zbuluar në shtypin në vendin e tij të lindjes se ishte i kërkuar dhe kishte informuar autoritetet franceze.”
Ndërkohë, prokuroria shprehu kundërshtimin për lirimin e Beqirit, duke theksuar se ai zotëron burime financiare dhe licencë piloti, çka do t’i mundësonte të shmangte autoritetet në mënyrë të shpejtë.
Gjatë seancës, Beqiri deklaroi se jeton në Francë që prej moshës 16-vjeçare. Me një notë ironie ai tha se mund të ishte fshehur kudo, edhe në Dubai, por ka zgjedhur Francën për shkak të lidhjeve të tij të afërta me këtë vend.
Arrestimi i Beqirit erdhi pas një fluturimi me avion privat mbi centralin bërthamor Penly, në zonën midis Dieppe dhe Le Tréport të Francës, në një lartësi të ulët. Para autoriteteve franceze më 27 korrik, ai ka deklaruar se kishte gabuar në ruajtjen e lartësisë së fluturimit dhe se në atë moment po fliste në telefon me nënën e tij kur kaloi mbi centralin.

