Rreth 15,800 njerëz në Gjermani dyshohet se kanë humbur jetën nga temperaturat ekstreme që nga fillimi i këtij viti, sipas të dhënave të fundit të Institutit Robert Koch, instituti gjerman për shëndetin publik. Shifrat, që mbulojnë periudhën deri më 26 korrik, janë publikuar së fundmi nga ky institucion.
Ky numër tejkalon ndjeshëm çdo vit tjetër të plotë që prej 2016-s, me rekordin e mëparshëm të shënuar në vitin 2018 kur u raportuan rreth 9,000 vdekje të lidhura me të nxehtin.
Sipas të dhënave të Institut Robert Koch, më shumë se gjysma e jetëve të humbura këtë vit, afro 9,600 persona, përkojnë me një valë të nxehti të jashtëzakonshme në fund të qershorit, kur në disa rajone të Gjermanisë temperaturat arritën deri në 42°C.
Vlerësimet tregojnë gjithashtu se nga fundi i korrikut deri në mesin e gushtit, temperaturat e larta bënë që të atribuohen edhe rreth 4,000 raste vdekjesh të tjera.
Për shkak të vonesave në raportimin e statistikave nga disa lande gjermane, pritet që shifrat përfundimtare të shënojnë rritje.
Gjithashtu, nga numri i përgjithshëm i vdekjeve të lidhura me nxehtësinë, rreth 11,900 viktima ishin mbi 75 vjeç.
Sipas të dhënave të shërbimit klimatik të Bashkimit Evropian, Copernicus, qershori 2026 u regjistrua gjithashtu si muaji më i nxehtë ndonjëherë në Evropën Perëndimore. /DW/

