Ndryshimi në AKU ndez luftën për pushtet në Shkodër/ Kush e drejton realisht PS-në: Karakaçi apo binomi Beci–Spiropali?

Publikuar me datë:

Vetëm pak javë pas shkarkimit të drejtorit të AKU-së në Shkodër, Ramir Haderi, i cili është përballur me akuza për korrupsion, në këtë post pritet të vendoset Edita Shoshi.

Emërimi i saj po shihet me habi brenda radhëve të socialistëve shkodranë, jo thjesht për shkak të momentit kur po bëhet ndryshimi, por edhe për shkak të perceptimit se Shoshi, njësoj si paraardhësi i saj, konsiderohet një person i afërt dhe i besuar i binomit politik Benet Beci–Elisa Spiropali.

Në vend që ndryshimi në drejtimin e një institucioni të rëndësishëm të administratës publike të qetësonte situatën, lëvizja e fundit duket se ka shtuar pikëpyetjet. Kush po i merr realisht vendimet në Shkodër? Kush po përcakton emërimet në administratë? Dhe mbi të gjitha, kush e drejton sot Partinë Socialiste në këtë qytet?

Këto janë pyetje që qarkullojnë gjithnjë e më shumë në radhët e socialistëve shkodranë.

Ardhja e Enea Karakaçit në Shkodër u lexua fillimisht si një sinjal i qartë politik. Pritej që ai të merrte në dorë jo vetëm drejtimin e jetës politike të socialistëve, por edhe të vendoste një kontroll më të fortë mbi administratën lokale.

Por zhvillimet e fundit duket se kanë prodhuar një tjetër realitet.

Në vend që Karakaçi të shfaqej si figura që do të konsolidonte pushtetin politik të socialistëve në Shkodër, brenda strukturave ai po shfaqet si një figurë e dobët, pa një profil të qartë dhe pa ambicien e pritshme për të marrë kontrollin e situatës.

Madje, në bisedat brenda kampit socialist po qarkullon një pyetje gjithnjë e më e drejtpërdrejtë: A gaboi Belinda Balluku duke e sjellë Karakaçin si njeriun e saj të besuar në Shkodër?

Sepse nëse qëllimi ishte që ardhja e tij të ndryshonte raportet e pushtetit në qytet, deri tani rezultatet duket se flasin për të kundërtën.

Benet Beci dhe Elisa Spiropali vazhdojnë të ruajnë ndikimin e tyre në Shkodër, ndërsa emërimet e fundit në administratë ushqejnë perceptimin se qendra reale e vendimmarrjes nuk ka ndryshuar.

Rasti i AKU-së është vetëm një prej episodeve që po shtojnë konfuzionin. Në vend të një hierarkie të qartë politike, socialistët shkodranë duket se po përballen me disa qendra ndikimi, ku askush nuk e ka të qartë se kush është realisht në komandë.

Dhe në këtë klimë pasigurie, një pyetje mbetet pezull mbi Partinë Socialiste të Shkodrës:

Nëse Karakaçi nuk po e drejton dot realisht politikën dhe administratën, kush po e drejton Shkodrën në emër të socialistëve?

Përgjigjja mund të mos jetë aq e vështirë për t’u gjetur sa duket. Mjafton të ndiqen emërimet, lëvizjet dhe njerëzit që vazhdojnë të marrin poste kyçe në administratë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related