Një grua, e cila dyshohet të jetë rreth 50 vjeç, është gjetur pa jetë pranë Urës së Fshajt në Gjakovë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar zbulimin, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë mbërritur njësitet përkatëse për të kryer veprimet fillestare hetimore. Autoritetet po presin ekipin e mjekësisë ligjore që do të realizojë ekzaminimet për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.
Sipas informatave të para, nga këqyrja sipërfaqësore e trupit nuk janë vërejtur shenja të dukshme dhune. Identiteti i të ndjerës ende nuk është zbuluar, ndërkohë që rrethanat e vdekjes mbeten të paqarta.
Pritet që pas ekzaminimeve nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe hetimeve të sektorit rajonal të vijnë të dhëna të reja që mund të ndriçojnë plotësisht rastin.

