Pas një vere të përqendruar edhe në ekspozimin e veprave nga fondi i saj artistik, Galeria e Arteve në Shkodër po përgatitet për një sezon të ri aktivitetesh që do të nisë në muajin shtator. Programi i parashikuar për pjesën e mbetur të vitit përfshin një sërë ekspozitash dhe projektesh të artit pamor.
Periudha nga shtatori deri në dhjetor pritet të rikthejë plotësisht aktivitetin artistik në ambientet e galerisë, përmes një kalendari që synon të promovojë krijimtarinë bashkëkohore dhe të mbajë të gjallë interesin e publikut për artin pamor.
Një vend të rëndësishëm në këtë program zë edhe fondi artistik i galerisë, i ndërtuar ndër vite, i cili përfshin vepra të autorëve që përfaqësojnë periudha dhe qasje të ndryshme artistike.
Me këtë kalendar të ri, Galeria e Arteve synon të forcojë më tej rolin e saj si një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në Shkodër, duke krijuar më shumë mundësi për takimin e publikut me krijimtarinë e artistëve vendas dhe shqiptarë.

