Pas vdekjes së dy punonjësve të aeroportit të Frankfurtit nga malaria, autoritetet shëndetësore gjermane u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë, teksa hetimet për burimin e infeksionit janë ende në zhvillim.
Kurthe speciale janë vendosur në aeroport për të kapur mushkonjat, të cilat po mbikqyren nga ekspertët. Insektet e zëna janë dërguar për analizë në një laborator të mjekësisë tropikale në Antwerp të Belgjikës.
Gjithsej gjashtë punonjës të aeroportit janë prekur nga malaria tropica, që konsiderohet si forma më e rrezikshme e kësaj sëmundjeje. Dy prej tyre kanë ndërruar jetë—personi i parë shfaqi simptomat në fillim të korrikut, ndërsa rasti i dytë u identifikua në mesin e muajit gusht. Katër të infektuarit e tjerë janë trajtuar në spital dhe, sipas të dhënave nga Departamenti i Shëndetit Publik në Frankfurt, ata tashmë nuk janë më në rrezik për jetën.
Sipas autoriteteve, malaria është një sëmundje tejet e rrallë në Gjermani, çka bën që shpesh të mos merret parasysh menjëherë si diagnozë nga mjekët. Kjo vonesë mund të ndikojë negativisht në rrjedhën e sëmundjes dhe të rrisë ashpërsinë e saj.
Është e rëndësishme të theksohet se malaria nuk transmetohet drejtpërdrejt nga njeriu te njeriu, por përhapet nëpërmjet pickimit të mushkonjave të infektuara.
Instituti Robert Koch ka ngritur hipotezën se shpërthimi në Frankfurt mund të këtë ardhur nga mushkonja Anopheles stephensi, një specie e cila mund të jetë importuar në Gjermani nëpërmjet ndonjë avioni.
Sipas një zëdhënësi të kompanisë Fraport, e cila operon aeroportin, kurthe për mushkonjat janë vendosur si brenda, ashtu edhe në zonat përreth aeroportit. Ai konfirmoi se disa insekte janë kapur dhe po i nënshtrohen ekzaminimeve laboratorike.
Peter Tinnemann, kreu i Departamentit të Shëndetit Publik në Frankfurt, tha se mushkonja që dyshohet se është burimi i infeksionit mund të ketë ngordhur tashmë për shkak të temperaturave të larta.
“Mushkonja ndoshta tashmë ka ngordhur”, tha Tinnemann për transmetuesin Hessische Rundfunk.
Sipas tij, edhe pse temperaturat më të nxehta në Gjermani mund të zgjatin jetën e mushkonjave, rreziku për popullsinë e qytetit mbetet minimal.
“Askush nuk duhet të mendojë se vetëm sepse ka dhimbje koke, temperaturë dhe simptoma të përgjithshme, tashmë është infektuar me malarie për shkak të rastit në aeroport”, deklaroi ai.
Përkundër kësaj, Tinnemann shtoi se rritja e rasteve të malaries kërkon një rishikim të masave aktuale të sigurisë, duke përfshirë dezinfektimin e avionëve dhe eliminimin e vendeve ku mushkonjat mund të shumohen.
Autoritetet po hetojnë ende nëse të gjashtë punonjësit janë infektuar nga një mushkonjë e vetme apo nga disa insekte dhe nëse këto kanë mbërritur në aeroport përmes fluturimeve ajrore.

