Një çift i moshuar në Francë është bërë viktimë e një mashtrimi të mirëorganizuar, duke humbur pasuri që kap vlerën e 1.1 milionë eurove pasi u mashtruan se pronat e tyre ishin të rrezikuara. Rasti ka ndodhur në fshatin Lainville-en-Vexin, i vendosur në departamentin Yvelines dhe që numëron rreth 800 banorë. Mediat franceze raportojnë se gjithçka ka nisur më 31 korrik, kur një person i maskuar si punonjës sigurie telefonoi çiftin.
Kjo person i njoftoi pensionistët se të dhënat e tyre personale ishin komprometuar dhe i paralajmëroi të qëndronin në shtëpi. Për t’ua bërë situatën më të besueshme, ai u kërkoi që të hartonin edhe një ankesë paraprake.
Pas dy ditësh, mashtruesit ndërmorën hapin e radhës. Një tjetër anëtar i grupit u shfaq pranë shtëpisë dhe bindi burrin të largohej me të, nën pretekstin se duhej kryer një procedurë sigurie.
Gjatë kësaj kohe, bashkëshortja qëndroi në banesë dhe mori një telefonatë të dytë, përsëri nga dikush që u prezantua si punonjës i kompanisë së sigurisë. Kur i zbuloi se familja kishte një kasafortë, ai e pyeti për përmbajtjen dhe e siguroi se paratë dhe vlerat duhej të zhvendoseshin përkohësisht në një vend të sigurtë.
E bindur tërësisht nga skenari, gruaja mbushi një çantë me para cash, monedha ari, shufra ari dhe bizhuteri. Këto ia dorëzoi një personi që u paraqit në derë si korrier i autorizuar. Humbja totale e çiftit, sipas përllogaritjeve, arrin në 1.1 milionë euro. Vetëm pasi kuptuan mashtrimin, ata lajmëruan menjëherë policinë dhe depozituan kallëzim zyrtar.
Autoritetet hetimore në Francë po shqyrtojnë hipotezën se të dhënat e çiftit mund të jenë siguruar përmes rrjedhjeve të informacionit personal. Ekzistojnë dyshime të lidhura me sulme të fundit kibernetike ndaj kompanive të specializuara në tregtimin e arit në Francë.
Derisa të arrestohen, autorët e këtij mashtrimi mbeten ende të panjohur dhe të lirë. Ndërkohë, policia vijon hetimet për të zbuluar nëse grupi është përfshirë edhe në raste të tjera ndaj personave me pasuri të konsiderueshme.

