Është nëna e një foshnjeje që ende ushqehet me gji, por prej kësaj të mërkure ndodhet në burgun e Pojskës, për të vuajtur një dënim prej 6 vitesh e 8 muajsh burgim.
Greta Gjoci është një nga 5 gratë e dënuara në kuadër të dosjes së grupit të drejtuar nga Bruno Çobo, i akuzuar për një skemë mashtrimi përmes Call Center-ave ndaj qytetarëve italianë.
Ajo është dërguar në burgun e Pojskës së bashku me foshnjën, e cila sipas rregullave mund të qëndrojë me nënën në institucion deri në moshën 3-vjeçare. Pas kërkesës së mbrojtjes, Avokati i Popullit nisi verifikimin e menjëhershëm të rastit.
“Praktika lejon që prindërit, pra nënat që kanë një fëmijë në gji, kur marrin një vendim gjykate, duhet të strehohen apo akomodohen pra në një IEVP, mund të mbajnë këtë fëmijë. Për këtë arsye, brenda këtij institucioni, sepse IEVP Pojskë akomodon vetëm gratë e burgosura, ka një çerdhe, pra një ambient të posaçëm ku mund të qëndrojë nëna me fëmijën në gji. Ne kemi marrë menjëherë kontakt si me drejtuesit e institucionit, ashtu dhe me vetë zonjën. Kemi parë kushtet ku akomodohet dhe kemi parë edhe fëmijën dhe zonjën në fjalë. Kushtet ishin të realizuara sipas nevojave”, tha ai Gloria Carkaxhiu.
Por rasti i Gretës nuk është i vetmi. Edhe katër gra të tjera të dënuara në të njëjtën dosje i janë drejtuar GJKKO-së me kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, duke iu referuar fëmijëve të tyre dhe rrethanave familjare. Në total, për gratë e dënuara në këtë dosje janë dhënë mbi 40 vite burgim. Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimet për 16 të pandehurit, ndërsa drejtuesi i grupit, Bruno Çobo, u dënua me 8 vite burg.
Avokati i Popullit thotë se nuk mund të ndërhyjë në vendimmarrjen e gjykatës, por Institucioni do të përfundojë verifikimin e tij mbi trajtimin dhe kushtet e nënës dhe foshnjës në burg.
“E vetmja kërkesë që ajo kishte, ishte për vendimin dhe ajo pikërisht në vijim, javën tjetër, ka seancën tjetër të cilën ajo do ta ndjekë ligjërisht, por që kjo nuk hyn në sferën tonë… Ne kemi ardhur sot për të parë kushtet dhe të drejtat e nënës në IEVP. Për pjesën e procedurave ligjore që ndiqen jashtë këtij institucioni, kjo nuk është në vlerësimin tonë. Ne do të bëjmë punën për të drejtat dhe detyrimet që ka institucioni dhe vuajtja me foshnjën e saj brenda në këtë institucion”, tha Gloria Carkaxhiu, përfaqësuese e Avokatit të Popullit.
Vëmendja është te seanca e së hënës, ku GJKKO do të shqyrtojë kërkesën e mbrojtjes për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit të nënës së foshnjës.

