Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Fation Mani, ka reaguar ashpër ndaj drejtoreshës së Shtëpisë së Fëmijëve në Shkodër, pas deklaratës së saj në përgjigje të publikimit të bërë nga Sali Berisha.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Mani akuzon drejtoreshën se në vend që të japë llogari për problematikat e institucionit që drejton prej vitesh, ka zgjedhur të sulmojë Berishën. Ai pretendon se drejtuesja e institucionit nuk ka folur më parë publikisht për çështjet e shtëpisë së fëmijëve dhe se duhet të mbajë përgjegjësi për situatën.
Në reagimin e tij, përfaqësuesi demokrat ngre edhe akuza politike, duke pretenduar se drejtoresha ka ndryshuar qëndrime sipas pushtetit dhe se ka kaluar nga mbështetja e Partisë Demokratike te afrimi me Benet Becin.
Mani shprehet se Berisha vazhdon të denoncojë me fakte, sipas tij, shkeljet dhe problematikat në institucione, ndërsa e cilëson reagimin e drejtoreshës si një përpjekje për të shmangur përgjegjësitë mbi gjendjen e institucionit.
Debati nisi pasi Berisha publikoi një video nga Shtëpia e Fëmijëve në Shkodër, ku shfaqeshin disa fëmijë mbi kangjellat e ballkonit, duke ngritur shqetësime për sigurinë dhe kushtet në institucion. Më pas, drejtoresha reagoi duke mbrojtur punën e bërë ndër vite dhe investimet e realizuara, si edhe duke akuzuar ish-kryeministrin për përdorimin e fëmijëve për qëllime politike.

