Prej rreth tre vitesh, një kërkesë e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për identifikimin e pesë vendvarrimeve të dyshuara të viktimave të komunizmit vijon të mbetet pa përgjigje nga Prokuroria e Shkodrës.
Bëhet fjalë për zona pranë varrezave katolike të Rrmajit, ku dyshohet se mund të ndodhen eshtrat e personave të pushkatuar gjatë regjimit komunist. Autoriteti i Dosjeve ka kërkuar ndërhyrjen për verifikimin e këtyre vendvarrimeve, por sipas drejtueses së institucionit, Gentiana Sula, procesi ende nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare nga drejtësia.
Deklarata u bë gjatë hapjes së një ekspozite pranë varrezave të Rrmajit, aktivitet i organizuar në kuadër të 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve.
Sula theksoi se çështja e personave të zhdukur gjatë diktaturës mbetet një detyrë e papërfunduar për institucionet e drejtësisë. Sipas të dhënave të Autoritetit të Dosjeve, në qarkun e Shkodrës rezultojnë 372 persona të pushkatuar ose të zhdukur gjatë komunizmit, për të cilët familjet ende nuk kanë një varr ku të prehen apo të përkujtohen.
Në Shkodër, një nga zonat ku dyshohet se mund të gjenden eshtrat e viktimave të regjimit është pikërisht hapësira pranë varrezave të Rrmajit. Për familjet e të zhdukurve, gjetja dhe identifikimi i eshtrave do të ishte një hap i rëndësishëm për t’i dhënë fund dekadave të pasigurisë.
Në përfundim të aktivitetit u përurua edhe një ekspozitë e përhershme pranë varrezave katolike të Rrmajit. Ajo do të shërbejë si një memorial i kujtesës, me synimin që brezat e rinj të njihen me historinë e diktaturës, përndjekjet dhe krimet e kryera gjatë regjimit komunist.
Sipas të dhënave të prezantuara në aktivitet, gjatë diktaturës në Shqipëri u ekzekutuan dhe u zhdukën mijëra persona, mes tyre një numër i konsiderueshëm në Shkodër, një prej qarqeve më të goditura nga represioni i regjimit.

