Një mosmarrëveshje mes dy familjeve në Dedaj të Pukës, e dyshuar për motive pronësie përfundoi me përplasje me sende të forta dhe mjete prerëse. Sherri ndodhi mbrëmjen e së martës, ku 67-vjeçari Isa Shkreli dhe i biri Fatjon Shkreli u konfrontuan me 34-vjeçarin Gramoz Istrefi dhe 3 familjarë të tij.
Familja Shkreli pretendon se anëtarët e familjes Istrefi kanë shkuar në banesën e tyre, duke i sulmuar brutalisht, dëshmi që e kanë dhënë edhe në Policinë e Shtetit. Sipas tyre, sulmi ka qenë i paramenduar dhe i mirorganizuar.
Nga ana tjetër, anëtarët e familjes Istrefi dhe dhëndri i tyre kanë deklaruar në polici se janë ofenduar nga 64-vjeccari Isa Shkreli teksa ishin duke kaluar në rrugë, gjë të cilën nuk e kanë duruar, duke sjellë kështu përshkallëzim të konfliktit.
Si pasojë e konfrontimit fizik dhe përdorimit të sendeve të forta 34-vjeccari Gramoz Istrefi ka fraktura në dorë, kurse motra e tij Fiqirete Istrefi ka plagë në kokë. Edhe Fatjon Shkreli dhe babai i tij kanë marrë lëndime në kokë, ndërsa të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.
Megjithatë, Komisariati i Policisë Pukë dha urdhër arresti për Isa dhe Fatjon Shkrelin, babë e bir, si dhe për Gramoz Istrefin, ndërsa u proceduan penalisht 2 anëtarë të tjerë të familjes Istrefi. Pavarësisht se policia mbajti në vëzhgim të dyja familjet që janë në konflikt prej gati 20 vitesh, të dyja palët thonë se do të hakmerren ndaj njëri-tjetrit.
Shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sende dhe mjete të dyshuara të përdorura gjatë konfliktit, ndërsa veprimet e mëtejshme hetimore do të vijojnë nga Prokuroria e Shkodrës.

