Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka dhënë sot miratimin për riorganizimin administrativo-territorial të propozuar, që synon bashkimin e Bashkisë Elbasan me Cërrikun dhe Belshin.
Kjo vendimmarrje pasoi një seri konsultimesh publike të zhvilluara në nivel lokal, ku qytetarë dhe përfaqësues të komuniteteve lokale shprehën mendimet dhe sugjerimet e tyre mbi reformën.
513 qytetarë mbështesin riorganizimin
Gjatë procesit të konsultimit morën pjesë 670 individë. Të dhënat zyrtare tregojnë se 513 prej tyre kanë mbështetur riorganizimin, ndërsa 67 persona shprehën kundërshtimin e tyre.
Këto opinione u reflektuan në hartimin e dokumentit përfundimtar që iu dërgua Këshillit Bashkiak për votim.
26 vota pro nga këshilltarët
Mbledhja e sotme pa pjesëmarrjen e 36 prej 51 anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Elbasanit.
Gjatë votimit, propozimi për bashkimin administrativ mori 26 vota pro dhe 2 kundër.
Ky vendim bën që Elbasani të shprehë zyrtarisht qëndrimin pozitiv në lidhje me procesin e riorganizimit territorial, që do të krijojë një njësi të vetme administrative mes Elbasanit, Cërrikut dhe Belshit.
Dokumenti i miratuar thekson se ndryshimi territorial duhet të garantojë ofrimin dhe cilësinë e shërbimeve publike.
Sipas qëndrimit të Këshillit Bashkiak, është e domosdoshme që reforma të ruajë vazhdimësinë dhe standardin e shërbimeve, si dhe të sigurojë aksesin e qytetarëve dhe përfaqësimin e komuniteteve në territorin e ri administrativ.

