Bashkëshortja e shqiptarit që vrau një 45-vjeçare në Athinë, me të cilën dyshohet se kishte një marrëdhënie intime, ka dëshmuar në polici se sjellja e tij kishte ndryshuar ndjeshëm në dy vitet e fundit. Sipas saj, burri shpesh mungonte në shtëpi dhe nuk jepte asnjë informacion për vendndodhjen.
Të dielën në mëngjes, Altin Allmuça, 48 vjeç, i la gruas së tij 1000 euro përpara se të largohej nga banesa. Më vonë, ai udhëtoi drejt Nea Smyrni, ku vrau 45-vjeçaren, e më pas i dha fund jetës së tij.
Gruaja deklaroi përpara autoriteteve se jetonte nën frikë për shkak të bashkëshortit të saj dhe kohët e fundit kishte përfunduar divorcin për shkak të xhelozisë së tij.
Ndërkohë, deklarimet e familjarëve të viktimës priten të ndihmojnë hetimet për të kuptuar më mirë natyrën e marrëdhënies ndërmjet 48-vjeçarit dhe viktimës, si dhe ngjarjet që çuan në krim.
Burime të afërta bëjnë me dije se viktima kishte rrëfyer motrës se ndodhej në një lidhje me një burrë, por kishte vendosur të ndahej për shkak të xhelozisë së tij.
Në natën tragjike, 45-vjeçarja ndodhej vetëm në banesë, ndërsa vajza e saj atë kohë nuk ishte në Athinë pasi kishte udhëtuar drejt Agrinios së bashku me xhaxhain.
Pjesë e rëndësishme e hetimit konsiderohen edhe pamjet e marra nga kamerat e sigurisë në zonë, të cilat kanë dokumentuar momentet e krimit. Në ato filmime shihet se Altin Allmuça e ka pritur viktimën jashtë shtëpisë së saj; sapo ajo ka hapur derën dhe ka dalë jashtë, ai ka qëlluar mbi të dhe më pas ka përdorur armën pa leje kundër vetes.
Autoritetet po verifikojnë gjithashtu të kaluarën e 48-vjeçarit në Shqipëri. Rezulton se ai ka qenë më parë i dënuar, pasi në vitin 2016 është arrestuar në Tiranë me akuzën e dhunimit të bashkëshortes.

