E vrasin me 3 plumba në mes të ditës në Spanjë, publikohet momenti i ekzekutimit të Luka Beqirajt! Shokët mbeten të shtangur

Janë publikuar pamje të momentit të vrasjes së Luka Beqirajt, shtetas shqiptar i vrarë me armë zjarri në mes të ditës në një lokal të kompleksit sportiv në Orihuela Costa, një zonë në provincën e Alicantes në Spanjë. Ngjarja ndodhi më 10 nëntor, pak minuta para orës 13:00, në ambientet e Playa Flamenca Sport Club. Në videon e shpërndarë, shfaqet çasti kur autori i atentatit i afrohet tavolinës ku ishte ulur 39-vjeçari nga Vlora dhe hap zjarr në drejtim të tij. Të tjerë persona që gjendeshin në të njëjtën tavolinë shihen duke u larguar me vrap sapo fillojnë të shtënat, në përpjekje për t’u shpëtuar plumbave.

Pas kryerjes së sulmit, autori është larguar nga vendngjarja duke përdorur një monopatinë elektrike, ndërsa viktima ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda. Deri në raportimet më të fundit, autori ende nuk është kapur dhe kërkimet nga autoritetet spanjolle vijojnë. Organizimi dhe ekzekutimi i vrasjes kanë shtuar dyshimet tek hetuesit se mund të jetë një atentat i porositur ose i lidhur me larje hesapesh. Mediat spanjolle raportojnë gjithashtu se po shqyrtohen pista që lidhen me rrjete të krimit të organizuar që operojnë në bregdetin e Alicantes dhe Mursias. Megjithatë, motivet e sakta të vrasjes nuk janë konfirmuar ende nga autoritetet.

Luka Beqiraj ka qenë i njohur edhe më herët për autoritetet shqiptare. Në vitin 2016, ai u arrestua në Vlorë për plagosje të rëndë me dashje. Tre vite më vonë, në 2019, u prangos në kuadër të një operacioni të përbashkët mes Shqipërisë dhe Italisë kundër trafikimit ndërkombëtar të drogës, ndërsa në vitin 2020 u dënua nga drejtësia italiane me 4 vite e 6 muaj burg për përfshirje në veprimtari të lidhura me trafikun e narkotikëve.

E kaluara e tij kriminale është rishfaqur në vëmendje pas atentatit, ndërkohë që hetimet spanjolle vijojnë për të identifikuar dhe arrestuar autorin e krimit, si dhe për të hedhur dritë mbi motivet e plota që çuan në vrasjen e shqiptarit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe