Janë zbuluar detaje të reja mbi vrasjen e Johan Zukos, 20 vjeç, që ndodhi këtë pasdite në lagjen nr. 14 të qytetit të Korçës. Sipas informacioneve të gazetarit Lorena Kodra, viktima dhe personi i dyshuar për kryerjen e krimit kanë qenë miq të ngushtë dhe janë rritur së bashku. Gjithashtu, autori i dyshuar ka një histori me precedentë penalë, pasi më parë është përfshirë në episode që lidhen me armëmbajtje pa leje dhe plagosje.
Këto të dhëna të reja e komploksojnë edhe më shumë hetimin, pasi ende nuk është zbuluar arsyeja që çoi në konfliktin mes dy personave që njiheshin prej kohësh.
Autoritetet policore tashmë kanë identifikuar të dyshuarin dhe vijojnë intensivisht punën për ta kapur. Janë ngritur postblloqe në disa zona, ndërsa forcat e rendit po kryejnë kontrolle të shtuara në rrugët kryesore dhe rrethinat.
Ndërkohë, ekipi i hetimit po sekuestron pamjet e kamerave të sigurisë që ndodhen pranë vendit të ngjarjes, të cilat pritet të jenë të rëndësishme për të hedhur dritë mbi lëvizjet e të dy të rinjve dhe për të dokumentuar plotësisht ngjarjen. Vijojnë hetimet për të sqaruar motivet dhe për të rindërtuar të gjithë dinamikën e vrasjes.

