Të paktën një banesë është djegur ndërsa janë regjistruar dëme të shumta në një komplekt turistik.
Ky është bilanci i zjarrit të rënë gjatë mbrëmjes së djeshme në zonën e Gjirit të Lalzit, i cili vijon edhe gjatë kësaj të mërkure, 23 shtator, pavarësisht se është nën kontroll.
Gjatë natës u evakuuan dhjetëra banorë dhe turistë që ndodheshin në vila apo komplekse që rrezikoheshin nga zjarri.
Dhjetëra forca zjarrfikëse dhe forca të ushtrisë kanë punuar gjatë gjithë natës për të parandaluar katastrofën me djegien e vilave dhe komplekseve të tjera turistike, që ndodhen në zonën e “Shën Pjetrit” në Gjirin e Lalzit.
Këtë të mërkurë vatrat e zjarrit janë në zonat kodrinore, ndërsa puna për shuarjen e flakëve vijon nga ajri dhe nga toka. Deri më tani nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa pritet reagim nga autoritetet për këtë rast.

