Partia Demokratike ka bërë një tjetër denoncim, këtë radhë lidhur me një punim shkencor të Ministres së Shëndetësisë, Klodiana Spahiu të cilën e akuza për plagjiaturë.
Deputeti i PD, Bardh Spahia, në deklaratën për mediat tha se Spahiu, gjendet përpara një tjetër skandali.
Ai shtoi se kësaj here nuk bëhet fjalë për një tender qindra-milionësh, një koncesion apo një emërim për llogari të Kryeministrit Rama, por çështja prek drejtpërdrejt integritetin profesional dhe akademik të vetë Ministres së Shëndetësisë.
Deklarata e deputetit të PD, Bardh Spahia:
Në vetëm dy javë në detyrë, Ministrja e Shëndetësisë, znj. Klodiana Spahiu, gjendet përpara një tjetër skandali. Kësaj here nuk kemi të bëjmë me një tender qindra-milionësh, një koncesion apo një emërim për llogari të Kryeministrit Rama. Kësaj here, çështja prek drejtpërdrejt integritetin profesional dhe akademik të vetë Ministres së Shëndetësisë.
Investigimi i publikuar nga emisioni “Piranjat” ngre dyshime serioze për plagjiaturë në një punim shkencor të Klodiana Spahiut të vitit 2018. Sipas materialit të bërë publik, nuk pretendohet vetëm kopjimi fjalë për fjalë i pjesëve të studimeve të huaja, por edhe përdorimi i metodologjisë, rezultateve dhe të dhënave të studimeve të kryera mbi pacientë jashtë Shqipërisë, të paraqitura në kontekstin e një studimi mbi pacientët e Spitalit të Durrësit.
Këto pretendime përbëjnë një çështje serioze që kërkon verifikim lidhur me integritetin shkencor dhe përgjegjësinë publike të një ministreje, mjekeje, pedagogeje dhe deputeteje të Kuvendit të Shqipërisë.
Prandaj, znj. Spahiu duhet të dalë menjëherë përpara publikut dhe të bëjë transparencë të plotë.
Zonja Ministre, a është ky punim shkencor autentikisht i juaji? A janë pacientët dhe të dhënat klinike të paraqitura rezultat i studimit tuaj? Nëse po, duhet të publikoni të dhënat dhe dokumentacionin që e provojnë.
Si mund t’u kërkojë pacientëve shqiptarë të kenë besim në sistemin shëndetësor një ministre, kur mbi të rëndojnë dyshime serioze për plagjiaturë në një studim shkencor?
Si mund të pretendojë se do të ndërtojë politika shëndetësore mbi shkencën dhe profesionalizmin, kur sot duhet të sqarojë nëse vetë puna shkencore që ka paraqitur është autentike apo plagjiaturë?
Si mund të pretendojë se do të luftojë korrupsionin në shëndetësi, kur nuk sqaron dot dyshimin se ka marrë punën shkencore të të tjerëve dhe e ka paraqitur si të vetën?
Dhe si mundet një pedagoge të ketë hyrë për vite me radhë në auditorët e universiteteve shqiptare për t’u mësuar studentëve mjekësi dhe shkencë, nëse provohet se vetë ka shkelur një nga parimet më elementare akademike? Plagjiatura nuk është shkencë, por mashtrim.
Klodiana Spahiu duhet t’i përgjigjet interesit të opinionit publik. Duhet të publikojë punimin integral, të dhënat shkencore dhe dokumentacionin mbi të cilin janë mbështetur rezultatet e tij.
Por kjo mund të mos jetë vetëm çështje etike dhe akademike. Nëse verifikimi konstaton elementet e parashikuara nga neni 148 i Kodit Penal, “Botimi i veprës së tjetrit me emrin e vet”, i cili parashikon një dënim nga gjoba deri në dy vite burg, çështja duhet t’u nënshtrohet edhe organeve kompetente të drejtësisë.
Znj. Spahiu nuk duhet të fshihet pas postit të ministres. Nëse nuk mund t’i rrëzojë me prova faktet e publikuara, minimumi i përgjegjësisë është të japë dorëheqjen dhe t’u nënshtrohet institucioneve kompetente, si çdo qytetar tjetër.
Në Europë, ministra kanë dhënë dorëheqjen për çështje të integritetit akademik, siç ishte rasti i ministrit gjerman të Mbrojtjes pas skandalit të plagjiaturës.
Znj. Spahiu, dorëheqja është akti i parë i përgjegjësisë politike, por nuk e mbyll këtë çështje.

