Një skemë e dyshuar për përvetësimin e 69 milionë lekëve të rinj nga Filiali i Postës Shqiptare në Durrës është zbuluar pas një kontrolli të brendshëm, ku rezultoi se mandate-pagesa të regjistruara në sistem si kalime fondesh drejt degëve Shijak dhe Krujë nuk kishin mbërritur kurrë në arkat përkatëse.
Sipas dosjes së Prokurorisë, fondet ishin të destinuara për pagesën e ndihmës ekonomike dhe skemave të tjera sociale, ndërsa dyshimet janë ngritur ndaj tre punonjëseve të Postës së Durrësit: drejtoreshës së filialit Elisabeta Mataj, shefes së financës Valbona Duni dhe arkëtares Paola Dana.
Ato dyshohen për veprën penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën, kryer në bashkëpunim”.
Sipas hetimit, skema u zbulua kur Dega e Shijakut refuzoi të kryente një transfertë financiare, duke pretenduar se Posta e Durrësit kishte ende detyrime ndaj saj.
Pas verifikimit në sistem, shefja e financës Valbona Duni konstatoi se një pjesë e mandate-pagesave të prera për Shijakun dhe Krujën nuk figuronin në degët përkatëse.

