Mbi 50 organizata të shoqërisë civile, së bashku me akademikë, artistë, gazetarë, arkitektë, drejtues biznesesh dhe eurodeputetë, i kanë dorëzuar zyrtarisht Komisionit Europian katër pyetje që lidhen me Ligjin nr. 21/2024 dhe monitorimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas një postimi të aktivistes Mirza Bala, kërkohet që Komisioni Europian të sqarojë nëse do t’i kërkojë qeverisë shqiptare një plan konkret me afate për ta përafruar ligjin me acquis-në e BE-së, si dhe nëse do të zbatohen mekanizmat korrigjues të metodologjisë së zgjerimit në rast se situata mbetet e pandryshuar deri në Raportin e Progresit 2026.
Po ashtu, në pyetjet drejtuar Brukselit kërkohet të dihet se çfarë masash konkrete do të ndërmerren për zbatimin e rekomandimeve të Rezolutës së Parlamentit Europian të 17 qershorit 2026, veçanërisht për moratoriumin e propozuar ndaj ndërtimeve në zonat e mbrojtura, si dhe nëse Komisioni do të publikojë një qëndrim zyrtar përpara Raportit të Progresit 2026.
Në reagimin e saj, Bala i referohet edhe deklaratës së Kryeministrit Edi Rama gjatë konferencës për shtyp të 14 korrikut, ku ai tha se “ligji nuk ka asgjë për t’u shfuqizuar”, por njëkohësisht u shpreh se legjislacioni do të trajtohet në përputhje me standardet europiane.
Aktivistja e cilëson këtë nismë si një tjetër përpjekje të shoqërisë civile për të kërkuar transparencë, llogaridhënie, sundim të ligjit dhe respektim të standardeve europiane, duke theksuar se angazhimi për këtë çështje do të vijojë.
Postimi i plotë:
Më shumë se 50 organizata të shoqërisë civile dhe individë – akademikë, artistë, gazetarë, arkitektë, drejtues biznesesh dhe eurodeputetë – i kanë dorëzuar zyrtarisht Komisionit Europian katër pyetje mbi Ligjin nr. 21/2024 dhe monitorimin e procesit të integrimit:
1) A do t’i kërkojë Komisioni Evropian qeverisë shqiptare të paraqesë një plan konkret legjislativ, me afate të përcaktuara kohore, për ta sjellë Ligjin nr. 21/2024 në përputhje me acquis-në e Bashkimit Evropian, dhe, nëse po, brenda cilit afat të përcaktuar nga Komisioni pritet të arrihet kjo përputhshmëri?
2) Duke qenë se Komisioni Evropian e ka cilësuar Ligjin nr. 21/2024 si një zhvillim negativ, nëse situata mbetet e pandryshuar deri ne Raportin e Progresit 2026, a do te zbatoje Komisioni mekanizmat korrigjues dhe të kushteve të parashikuara në metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, përfshirë parimi që lejon kthimin pas në procesin e integrimit?
3) Cilat masa konkrete po planifikon Komisioni të zbatojë për të vene ne jete rekomandimet e përfshira në Rezolutën e Parlamentit Evropian të datës 17 qershor 2026, veçanërisht lidhur me moratoriumin e propozuar për ndërtimet në zonat e mbrojtura?
4) Së fundi, a synon Komisioni Evropian ta shprehë qëndrimin e tij për këtë çështje vetëm përmes Raportit të Progresit 2026, apo parashikon publikimin e një komunikimi zyrtar përpara publikimit të këtij raporti?
Këto pyetje kërkojnë përgjigje të qarta dhe transparencë nga institucionet europiane, veçanërisht pasi Kryeministri Rama, në konferencën për shtyp të 14 korrikut, arriti të deklarojë në të njëjtën fjali se “ligji nuk ka asgjë për t’u shfuqizuar”, por njëkohësisht se “do ta trajtojmë këtë legjislacion në përputhje me të gjitha standardet europiane”.
Kjo është një tjetër dëshmi se qytetarët, shoqëria civile dhe zëra të pavarur nuk do të reshtin së kërkuari transparencë, llogaridhënie, sundim të ligjit dhe respektimin e standardeve europiane. Angazhimi nuk ndalet këtu.




