Dom Mark Pashkja ka reaguar ashpër ndaj udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë për terapitë hormonale te të miturit, duke e cilësuar atë si një rrezik për familjen dhe shoqërinë shqiptare.
Në një deklaratë publike, ai shprehet se “frytet e ligjit për barazinë gjinore më në fund po korren”, ndërsa akuzon se nismat e fundit po promovohen nga mbështetës pranë komunitetit LGBTQ+.
Sipas tij, udhëzimi i ministrisë krijon mundësinë që adoleshentët të trajtohen hormonalish “në mënyrë imediate”, pa qenë plotësisht të vetëdijshëm për pasojat e vendimeve të tyre. Ai e konsideron këtë një “mobilizim strukturor” të politikave që, sipas tij, janë të dëmshme për të ardhmen e shoqërisë.
Dom Pashkja paralajmëron se shumë të rinj mund të përdoren “si instrumente për agjenda”, duke shtuar se pasojat mund të jenë të rënda për jetën e tyre.
Në deklaratën e tij ai përdor edhe një krahasim ironik, duke thënë se “do të përballemi me fenomene ku shumë familje do të dërgojnë djalin në shkollë paradite e pasdite do t’u kthehet vajzë”.
Deklarata ka sjellë reagime dhe debat në rrjetet sociale, ndërsa çështja e udhëzimit për terapitë hormonale vijon të mbetet temë e diskutuar në opinionin publik.

