Policia Rrugore ka penalizuar një shofer autobusi pasi u pa duke përdorur telefonin celular ndërsa drejtonte një mjet transporti publik.
Rasti është regjistruar në segmentin Divjakë-Lushnjë, pasi një video e incidentit u shpërnda në rrjetet sociale.
Pas publikimit të pamjeve, shërbimet e Policisë Rrugore në Fier ndërmorën hetimet dhe identifikuan drejtuesin e autobusit, të cilin më pas e shoqëruan në Komisariatin e Policisë Divjakë.
Për shkeljet e konstatuara, shoferi u ndëshkua me një gjobë prej 50 mijë lekësh ndërsa iu hoq edhe leja e qarkullimit.
“Në lidhje me një video të publikuar në median sociale “Piranjat”, në të cilën shfaqet një shtetas duke përdorur celularin gjatë drejtimit të një mjeti të shërbimit publik, në aksin rrugor “Divjakë-Lushnjë”, ju bëjmë me dije se:
Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Fier kanë identifikuar dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Divjakë drejtuesin e autobusit.
Për shkeljet e konstatuara, bazuar në pikat 3 dhe 10 të nenit 79, pikat 1 dhe 8 të nenit 170, si dhe pikat 2 dhe 3 të nenit 171 të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit është ndëshkuar me masë administrative në vlerën 50 000 lekë, si dhe me tërheqjen e lejes së qarkullimit.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të dokumentacionit të mjetit, ka rezultuar se drejtuesi qarkullonte me certifikatën e kontrollit teknik të mjetit të përfunduar”, njofton policia.

