Demo: Dhuna ndaj njerëzve dhe institucioneve nuk mund të justifikohet, ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë

Publikuar me datë:

Ministri Ervin Demo ka reaguar sërish këtë të martë në lidhje me protestën e studentëve, duke shprehur dënimin e tij të plotë për “sulmet ndaj punonjësve të Policisë, dëmtimin e pronës publike dhe private”. Ai ritheksoi se “protesta paqësore është një e drejtë demokratike që shteti ynë e garanton plotësisht”, ndërsa theksoi se “dhuna ndaj njerëzve dhe institucioneve nuk mund të justifikohet në emër të kësaj të drejte themelore”.

Demo u bëri apel të gjithë qytetarëve për vetëpërmbajtje dhe nënvizoi domosdoshmërinë që përgjegjësia për incidentet të përcaktohet në mënyrë individuale, mbi bazën e fakteve dhe provave konkrete.

Reagimi i plotë i ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo:

Të dashur qytetarë,

Sot, gjatë një takimi në Luksemburg, Shqipëria u vlerësua në vijimin e rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke përmbyllur përkohësisht një kapitull tjetër të negociatave. Ky progres, sipas ministrit, është një detyrim për të zbatuar standardet europiane në mënyrën se si institucionet vendore menaxhojnë kundërshtinë dhe mbrojnë të drejtat e qytetarëve.

Ngjarjet e ndodhura sot përpara Ministrisë së Arsimit, sipas tij, ngjallin shqetësim serioz. Ministri shprehu keqardhje për të gjithë të lënduarit, qofshin ata studentë, qytetarë, gazetarë apo punonjës policie, duke u uruar atyre shërim të shpejtë. Ai bëri të ditur se institucionet përkatëse do të publikojnë një raport të plotë të të dëmtuarve, të bazuar në verifikime të sakta.

“Dënoj pa asnjë rezervë sulmet ndaj punonjësve të Policisë, dëmtimin e pronës publike dhe private. Protesta paqësore është një e drejtë demokratike që shteti ynë e garanton plotësisht. Dhuna ndaj njerëzve dhe institucioneve nuk mund të justifikohet në emër të kësaj të drejte themelore.”

Ministri theksoi gjithashtu se Policia e Shtetit ka detyrën për të mbrojtur qytetarët, institucionet dhe sigurinë publike, ndërsa shtoi se efektivët meritojnë mbështetje për kryerjen e detyrave të tyre ligjore, si dhe të jenë të mbrojtur nga çdo formë agresioni kundër tyre.

Ai vuri në dukje se veprimet e Policisë duhet të jenë gjithmonë të ligjshme, të nevojshme dhe të qëndrueshme me situatën. Organet e ngarkuara do të hetojnë çdo pretendim për përdorim të pahijshëm apo disproporcional të forcës, pa nxjerrë përfundime të nxituara. Sipas tij, çdo provë apo dëshmi që mund të ndihmojë në qartësimin e ngjarjeve duhet të ruhet dhe të kontollohet në mënyrë të rreptë.

Ligji, sipas ministrit, duhet të aplikohet në mënyrë të barabartë për të gjithë.

Përgjegjësitë, theksoi ai, duhet të adresohen individualisht dhe mbi bazë provash; pjesëmarrja në të njëjtën protestë nuk mund të shërbejë si justifikim për t’i bërë njerëzit përgjegjës për veprimet e të tjerëve.

Ministri lajmëroi gjithashtu se ka kërkuar nga strukturat përgjegjëse marrjen e masave për uljen e tensioneve dhe parandalimin e përplasjeve të tjera, duke siguruar sigurinë publike dhe të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht. Gazetarët, tha ai, duhet të kenë mundësinë ta kryejnë punën e tyre në kushte sigurie.

“Standardi europian kërkon një shtet që garanton rendin, respekton liritë dhe jep llogari për veprimet e veta. Kjo është përgjegjësia që duhet të përmbushim edhe pas ngjarjeve të sotme.
Faleminderit.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related