E shpallën të vdekur, por pas 4 orësh u gjet gjallë në morg! Nëna e 2-vjeçarit rrëfen tmerrin: U thashë mjekëve se po merrte frymë

Publikuar me datë:

Një ngjarje tronditëse në Arizona të Shteteve të Bashkuara ka ngritur pikëpyetje serioze mbi trajtimin mjekësor të një fëmije 18-muajsh, i cili u shpall i vdekur pas një aksidenti në pishinën e shtëpisë, por u gjet ende gjallë rreth katër orë më vonë në morgun e spitalit. Tetë muaj pas ngjarjes, nëna e vogëlushit Vincent, Alexus Fiordilino, ka rrëfyer momentet dramatike kur ajo dhe familjarët e saj u përpoqën të bindnin personelin mjekësor se djali vazhdonte të merrte frymë, pavarësisht se ishte shpallur i vdekur.

“Ndërsa e mbaja në krahë, ndjeva ajër që dilte prej tij”, tregoi nëna, duke kujtuar çastet kur po i jepte lamtumirën të birit në Qendrën Mjekësore Mercy Gilbert.

Sipas saj, familjarët njoftuan menjëherë një oficer policie dhe personelin mjekësor për shenjat e frymëmarrjes, por iu tha se bëhej fjalë për frymëmarrje të fundit, që mund të ndodhë në prag të vdekjes. “Kjo na u përsërit dhe na u konfirmua vazhdimisht”, deklaroi ajo.

Nga aksidenti në pishinë te shpallja e vdekjes
Ngjarja nisi më 8 shkurt, kur familja ishte mbledhur në banesën e saj në Gilbert të Arizonës për të ndjekur finalen e Super Bowl. Në një moment, Vincent, vetëm 18 muajsh, i shpëtoi vëmendjes së të rriturve dhe përfundoi në pishinën e oborrit. Kur familjarët e gjetën, vogëlushi ishte pa ndjenja, me fytyrën poshtë në ujë. Sipas dokumenteve policore, nuk dihet saktësisht sa kohë kishte qëndruar në ujë, por familjarët vlerësuan se mund të kishin kaluar 10 deri në 15 minuta.

Të afërmit nisën menjëherë përpjekjet për ta ringjallur, deri në mbërritjen e policisë dhe ekipeve të urgjencës. Fëmija u transportua në Qendrën Mjekësore Mercy Gilbert, ku mjekët vazhduan ndërhyrjet për t’i shpëtuar jetën. Megjithatë, pas përpjekjeve për ringjallje, mjeku përgjegjës, Arian Toussi, e shpalli të vdekur. Raportet policore zbulojnë detaje shqetësuese për momentet që i paraprinë shpalljes së vdekjes. Sipas dokumenteve, ndërsa mjeku ishte larguar për pak çaste nga zona ku po kryhej ringjallja, një infermiere kishte deklaruar se kishte konstatuar puls.

Një oficer policie njoftoi menjëherë mjekun, por sipas raportit, ky i fundit iu përgjigj: “Ju lutem, bëni punën tuaj dhe më lini mua të bëj timen. Nuk shkova kot në shkollën e mjekësisë”. Mjeku më pas u rikthye pranë fëmijës dhe shpjegoi se analizat e gjakut tregonin nivele të pH-it që, sipas vlerësimit të tij, nuk ishin të pajtueshme me jetën. Pas një kontrolli përfundimtar të pulsit, ai njoftoi vdekjen e vogëlushit dhe kërkoi një minutë heshtje. Por edhe pas këtij momenti, një oficer policie raportoi se kishte dëgjuar tinguj që ngjanin me përpjekje për të marrë frymë. Vincent u dërgua në morgun e spitalit rreth orës 19:20 të mbrëmjes.

Rreth orës 23:30, kur një përfaqësues i mjekësisë ligjore të Qarkut Maricopa mbërriti për të marrë trupin, zbuloi se fëmija ishte ende gjallë. Menjëherë u njoftuan shërbimet e urgjencës dhe vogëlushi u transportua me helikopter në Spitalin e Fëmijëve në Phoenix, ku iu nënshtrua trajtimit të specializuar. Avokati i familjes, John Brewer, pretendon se qëndrimi për afro katër orë pa kujdes mjekësor mund të ketë përkeqësuar ndjeshëm gjendjen e fëmijës. Ai ka paralajmëruar ngritjen e një padie, me argumentin se pasojat shëndetësore mund të kishin qenë më të lehta nëse trajtimi nuk do të ishte ndërprerë. Megjithatë, lidhja mes kësaj periudhe dhe dëmtimeve të fëmijës mbetet një çështje që kërkon vlerësim mjekësor dhe ligjor. Policia e Gilbert ia ka referuar rastin Prokurorisë së Përgjithshme të Arizonës, e cila ende nuk ka vendosur nëse do të ngrejë akuza.

Ndërkohë, Prokuroria e Qarkut Maricopa vendosi në korrik që prindërit të mos përballen me akuza për incidentin në pishinë. Sot, tetë muaj pas aksidentit, Vincent është dy vjeç dhe përballet me pasoja të rënda shëndetësore. Sipas nënës së tij, vogëlushi nuk mund të ecë, të flasë, të qëndrojë ulur pa ndihmë apo të gëlltisë. Ai ushqehet përmes një tubi të posaçëm dhe ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm. “Ai mund ta kuptojë emrin e tij, por kaq është. Ai nuk është më i njëjti fëmijë”, rrëfeu nëna. Ajo kujton se përpara aksidentit Vincent ishte një fëmijë energjik, që i pëlqente të ngjitej në mobilie dhe të përshëndeste njerëzit. “Ai thoshte ‘përshëndetje’ kudo. Sapo kishte mësuar të thoshte ‘mirupafshim’ përpara se të ndodhte e gjithë kjo. E dëgjova vetëm një herë”, tregoi ajo. Familja kërkon përgjigje për mënyrën se si u trajtua vogëlushi në spital, ndërsa çështja mbetet nën shqyrtimin e autoriteteve amerikane.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related