Sulmuesi Lirim Kastrati do të jetë ende pjesë e KF Vllaznia, duke përgënjeshtruar spekulimet e fundit lidhur me një largim të mundshëm nga ekipi kuqeblu.
Sipas informacionit nga burime të afërta me klubin, pas një periudhe të tensionuar dhe diskutimesh mes palëve, është arritur një marrëveshje, duke zgjidhur çdo moskuptim. Lajmi është gjithashtu konfirmuar nga burime pranë lojtarit, i cili ka tërhequr vëmendjen se do të vazhdojë të jetë pjesë e Vllaznisë për sezonin e ri.
Kastrati pritet të rikthehet në stërvitje gradualisht sapo të bëjë rikuperimin nga lëndimi, duke u bërë njësi e rëndësishme e projektit sportiv për vitin e ardhshëm.
Me këtë vendim, Vllaznia ruan vazhdimësinë e një prej lojtarëve kyç në repartin ofensiv, ndërsa fokusimi i klubit tani kalon në përgatitjet për Kupat e Europës dhe objektivat e sezonit të ardhshëm.
Lojtari pritet t’i bashkohet stërvitjeve menjëherë pas rikuperimit të tij të plotë, duke qenë në dispozicion të stafit teknik të kryesuar nga trajneri Edi Martini. Qëndrimi i Kastratit konsiderohet një faktor i rëndësishëm për stabilitetin e ekipit në prag të sfidave europiane dhe sezonit të ri.
Nga Maringlen Zhivani

