Zbardhen bisedat mes Dizdarit dhe Aliut: “Fut më pak kokainë në çanta se u mpinë punëtorët”

Publikuar me datë:

Detaje të reja kanë dalë në pah lidhur me rrjetin ndërkombëtar të trafikut të kokainës, i cili sipas SPAK ka transportuar dhjetëra ton lëndë narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Komunikimet e përgjuara në aplikacionin e sigurt Sky ECC zbulojnë se në qendër të bisedave janë Eldi Dizdari dhe Salvatore Aliu, të cilët diskutojnë për sasitë e mëdha të kokainës, rrugët e transportit dhe metodat për fshehjen e ngarkesave në kontenierë.

Për Dizdarin, transportimi i ngarkesave që arrinin deri në 10 ton kokainë nuk ishte një sfidë, pasi ai besonte se kishte siguruar kalimin dhe tregun për shpërndarjen. Megjithatë, shqetësimi i tij nuk ishte kaq shumë sasia e drogës, por pesha e çantave që përdornin transportuesit. Në një bisedë, ai i kërkon Aliut që çantat të mos tejkalonin 45 deri në 50 kilogramë, duke thënë:

“Për Zotin kanë frikë po thyhen në mes, se ankohen gjithmonë. Po ngecin aty. Po u bje të fikët kot, haahahaahahah. Madje nuk kanë mundësi as të shkruajnë sms pas shkarkesave, pasi janë të mpirë”.

Në përgjigje, Salvatore Aliu shprehet se do të përpiqet të përshtat ngarkesat në këtë peshë dhe pranon se rreziku dhe mënyra e operimit i japin një ndjesi adrenaline.

Nga bisedat e monitoruara nga SPAK, del se çantat me peshë të madhe kishin gjithashtu një arsye ekonomike, pasi pagesat në vendin e nisjes llogariteshin bazuar në numrin e çantave të futur në kontenierë.

Hetuesit kanë regjistruar gjithashtu diskutimet mbi zgjedhjen e kontenierëve dhe rrugëve të kalimit. Aliu sugjeronte përdorimin e kontenierëve të kompanisë së bananeve “Dole”, ndërsa Dizdari preferonte që tranziti të kryhej përmes portit të Anversit, për të shmangur kontrollet më të shpeshta me skaner, sipas bisedave të tyre.

Përveç kësaj, në komunikime përshkruhet edhe metoda e dyshuar për fshehjen e kokainës. Sipas Aliut, në kontenier vendosej një kopje e çelësit, e cila përdorej për të hapur kontenierin në destinacion, në mënyrë që pas ndërhyrjes të mos mbeteshin gjurmë të dukshme.

Operativiteti i këtij grupi u godit disa ditë më parë pas një operacioni të SPAK, ku në fokus ishin Dritan Gjika, Salvatore Aliu dhe Eldi Dizdari, i njohur gjithashtu me emrin Denis Matoshi. Sipërfaqësia e hetimeve sugjeron se grupi ishte në gjendje të transportonte të paktën 50 ton kokainë nga Amerika Latine drejt Europës.

Për këtë çështje u caktuan 10 masa sigurie, por vetëm Florian Musaj përfundoi në pranga, pasi të tjerët ndodhen jashtë Shqipërisë.

Si pjesë e këtij operacioni, SPAK ka sekuestruar gjithashtu 491 pasuri që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale, me një vlerë që arrin rreth 150 milion euro.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related