Në seancën e djeshme të Parlamentit të Malit të Zi, nënkryetari Nikollë Camaj kërkoi që në ndryshimet ligjore për vetëqeverisjen lokale të merren parasysh edhe veçoritë historike e kulturore të Ulqinit dhe Malësisë.
Gjatë diskutimit, Camaj u ndal fillimisht te statusi i Ulqinit, duke argumentuar se një qytet me një histori kaq të hershme nuk mund të vlerësohet vetëm përmes treguesve ekonomikë apo nivelit të zhvillimit.
“Ulqini nuk është fajtor pse ka mbetur prapa në zhvillim”, tha ai, duke theksuar se identiteti historik dhe kulturor i qytetit duhet të reflektohet edhe në kuadrin ligjor.
Një tjetër çështje e ngritur prej tij ishte ajo e territorit historik të Malësisë dhe lidhja e tij me Komunën e Tuzit. Sipas Camajt, nëse territore të tjera, si Zeta, kanë ruajtur emërtimin dhe identitetin e tyre, i njëjti parim duhet të zbatohet edhe për Malësinë.
Ai nënvizoi se banorët autoktonë të Malësisë rrezikojnë të kenë më pak mundësi për të ushtruar të drejtat e tyre nëse vazhdojnë të jenë pjesë e një njësie vendore ku përbëjnë një përqindje shumë të vogël të popullsisë.
Camaj bëri thirrje për dialog mes forcave politike dhe komuniteteve, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje që, sipas tij, do të ishte në interes të banorëve të Malësisë dhe të ardhmes së Malit të Zi.
Për statusin e Ulqinit janë depozituar amendamente në Parlament, ndërsa për çështjen e Malësisë Camaj kërkoi mirëkuptim dhe mbështetje institucionale për një zgjidhje të qëndrueshme.

